Aktakuza i ngarkon ish-drejtorin e Urbanizmit në Komunën e Skenderajt Hasan Shalën, si dhe drejtoreshën aktuale të Urbanizmit Sanie Ahmetin, e cila asokohe ishte zyrtare në Drejtorinë e Urbanizmit dhe Ambientit, për “Keqpërdorim të autoritetit zyrtar” dhe për “Mashtrim”. Të dy ata mohuan aktakuzën.
Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka ngritur aktakuzë ndaj ish-drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Skenderajt Hasan Shala dhe ndaj drejtoreshës aktuale të Urbanizmit Sanie Ahmeti, asokohe zyrtare në këtë drejtori, për “Keqpërdorim të autoritetit zyrtar” dhe për “Mashtrim”. Sipas “Kallxo.com”, Shala dhe Ahmeti kanë dalë para Gjykatës Themelore në Mitrovicës për t’u përgjigjur për veprat që vihen në barrë dhe kanë mohuar në tërësi aktakuzën e ngritur ndaj tyre.
Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori i Shtetit, ish-drejtori i Urbanizmit dhe Ambientit në Komunën e Skenderajt, Hasan Shala, akuzohet për “Keqpërdorimi të pozitës ose autoritet zyrtar”, ndërsa Sanie Ahmeti përveç për “Keqpërdorim të pozitës ose autoritet zyrtar” akuzohet edhe për veprën penale “Mashtrim në detyrë”, shkruan Gazeta “Zëri”.
Të dy ata janë deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare që është mbajtur në Gjykatën Themelore të Mitrovicës. Prokuroria Themelore në Mitrovicë akuzon Hasan Shalën se në cilësinë e drejtorit të Urbanizimit dhe Mbrojtjes së Ambientit në Komunën e Skenderajt, si dhe Sanie Ahmetin si inxhiniere e arkitekturës në këtë drejtori, se duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar kanë tejkaluar kompetencat e tyre. Sipas akuzës, “ata këtë e kanë bërë me qëllim që të përfitojë dobi pasurore personi tjetër, organizata e biznesit NNSH ‘ILEAA-GR’”.