Drita ka njoftuar se i ka nxjerrë në shitje biletat për ndeshjen e kthimit ndaj Viktoria Plzen në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Gjilanasit përmes faqes së tyre zyrtare në Facebook kanë një njoftuar se biletat do të jenë në dispozicion që nga dita e sotme, ndërsa mund të blihen në mënyrë fizike nga ora 11:00 para teatrit të qytetit të Gjilanit.
Gjithashtu, “Intelektualët” njoftojnë tutje se biletat do të shiten edhe në ditën e ndeshjes tek stadiumi “Fadil Vokrri” në dy pika të shitjes.
Sa i përket çmimeve, biletat në sektorin Veri do të kushtojnë 3 euro, në Lindje 5 euro, në Perëndim 7 euro dhe në zonën VIP 25 euro.
Kujtojmë se ndeshja e parë mes Dritës dhe Viktorias, e zhvilluar në Republikën Çeke, kishte përfunduar pa gola, 0:0.
Andaj, gjilanasit, të përkrahur nga tifozët e tyre të flaktë synojnë të kalojnë në rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës, ndonëse përballë do ta kenë gjigantin çek, i cili vitin e kaluar ishte përballur me ekipe të mëdha si Barcelona, Bayern Munich e Inter në Ligën e Kampionëve.