Site icon PrishtinaPress

Dalin bisedat| “Drejtoresha jeme”, “Unë e emëroj edhe e shkarkoj”, kryetari i Gjilanit përplaset me aktivistët e VV-së

Kreu i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni është përplasur me aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje në grupin e tyre të komunikimit.

Në këtë bisedë që është zhvilluar në një grup në rrjetin social “Facebook” kryetari Alban Hyseni tregohet i rreptë me aktivistët duke i kërcënuar se do ta mbyll grupin nëse vazhdojnë të kundërshtojnë fjalën e tij, raporton Insajderi.

E gjithë biseda zhvillohet për disa punësime në sektorin e Arsimit në Gjilan.

Pjesë të shkëputur nga kjo bisedë, të cilën e ka siguruar Gazeta, është për punësimin e Drejtoreshës së Arsimit në Gjilan, të cilës kryetari Hyseni i drejtohet si “Drejtoresha jeme”, “Unë e emëroj edhe e shkarkoj”.

Drejtoresh e jemja është ajo e krejt tjerët. Për secilin do që flitet ka të bëjë me mu. Herën e fundit, krejt ata që kanë dashtë me u punësu pa kriter e me ndërhyrje, kanë deshtu. Prapë kanë me dështu. Krejt, pa përjashtim“, shkruan fillimisht kryetari Alban Hyseni.

Siç duket nga biseda, tendenca për të ‘pronësuar’ drejtoreshën e arsimit nga ana e kryetarit e ka penguar Ema Aliun e cila është anëtare e kryesisë së Vetëvendosjes.

Ema Aliu në këtë bisedë i drejtohet kryetarit Alban Hyseni se drejtoresha nuk është e tij por e Komunës së Gjilanit.

Drejtoresh e Arsimit e Komunës së Gjilanit. Jo e ndonjërit”, ia kthen ajo.

Më pas kryetari i thotë një përgjigje të prerë “Drejtoreshë e jemja osht. Unë e emëroj edhe e shkarkoj!

Në këtë bisedë ndërhyn edhe sekretari i kryesuesit të Kuvendit Komunal që është edhe aktivisti i VV’së, Edon Buca.

Nga kjo bisedë flitet për dërgimin e disa pyetjeve të testit pranues gruas së sekretarit Buca për punësim si mësimdhënëse në Gjilan.

Këtë ia përmend Ema Aliu, por nuk dihet në çfarë konteksti. “Ti veç ja dërgon gruas pyetjet e testit edhe në rregull jemi” duke ia mbyllur syrin me një emoji. Ndërkohë Buca e falënderon për ndihmën.

Kjo bisedë e ka nervozuar kryetarin Hyseni i cili ka kërcënuar aktivistët me mbyllje të grupit.

“Jo sosht për me kesh. Nëse vazhdon me shkru kështu në grup, me duhet me e mbyll grupin”, shkruan kryetari Hyseni, duke i thirrur në një mbledhje.

Nga kjo bisedë duket qartë se ka një përqarje mes aktivistëve të VV në Gjilan dhe kryetarit të Komunës që vie nga e njëjta parti.

Bisedat e publikuara nga Gazeta Insajderi

 

Exit mobile version