Site icon PrishtinaPress

Dakaj e konfirmon se po mbahet në Serbi gjoja për krime të luftës kundër popullsisë jo-shqiptare më 1999

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka dalë me njoftim lidhur me rastin e arrestimit të ish-ushtarit të UÇK-së, Hasan Dakaj, ditë më parë derisa ka provuar të hyjë në Serbi përmes pikës kufitare në Merdar.

Sipas njoftimit, kreu i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd e ka vizituar Dakajn në qendrën e Paraburgimit në Beograd ku ai po mbahet dhe është konfirmuar se ai po akuzohet nga Prokuroria e Lartë për Krime të Luftës e Beogradit për gjoja krime të luftës kundër popullsisë jo-shqiptare gjatë luftës në Kosovë.

“Gjatë vizitës që i është bërë me datë 10.01.2024, z. Dakaj e ka konfirmuar se Prokuroria e Lartë për Krime të Luftës e Beogradit e ngarkon atë për gjoja krime të luftës kundër popullsisë jo-shqiptare gjatë luftës në Kosovë më 1999.

Sa i përket trajtimit të tij, qytetari Dakaj ka theksuar se deri me tani nuk ka përjetuar ndonjë dhunë fizike apo formë tjetër të maltretimit. Ndërkohë, atij i është lejuar të kontaktojë me telefon familjen e tij.

Marrë parasysh fushatën përndjekëse dhe veprimet arbitrare të Serbisë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe në veçanti atyre që kanë qenë pjesë të luftës çlirimtare, MPJD fton të gjithë qytetarët që të kenë kujdes të shtuar dhe nëse ballafaqohen me vështirësi të natyrave të ndryshme gjatë udhëtimit të tyre nëpër Serbi, që të na kontaktojnë në numrin e telefonit: +383 46 51 00 51.”

Exit mobile version