Ballkani e pësoi mbrëmë një humbje të thellë me rezultat 0:4 nga Ludogoretsi, për t’i dhënë fund eksperiencës në Ligën e Kampionëve.
Kampioni kosovar e kishte fituar lojën e parë të rrethit të parë kualifikues të kësaj gare me rezultat 2:0 javën e kaluar në Prishtinë dhe shkoi në Bullgari me synim që ta mbrojë këtë rezultat.
Por, ekipi portokalli u dorëzua përballë kundërshtarit pas gabimeve të shumta dhe fillestare të ekipit.
Pas lojës, trajneri Ilir Daja theksoi se skuadra nga Suhareka ua fali dy gola kundërshtarëve.
Atij i vjen keq për eliminimin pasi pas fitores në lojën e parë në “Fadil Vokrri” ishin rritur pritshmëritë e tifozëve.
“Sigurisht pa filluar ndeshja e parë dihej që Ludogorets ishte favorit. E dyta ishte që ne rritëm pritshmëritë pas asaj fitore në Prishtinë, kundër një skuadre që ka buxhet goxha të madh dhe ka tre grupe lojtarësh: Ekipin e parë, të dytë dhe një të tretë. Pra përveç 11-shes se parë, ka edhe stolin goxha të mirë. Ne e filluam shumë keq ndeshjen pasi që pranuam gol që në minutat e para, sigurisht duhet të pranojmë që kjo edhe për meritë të kundërshtarit pasi bën presionin e tyre. Mendoj që pjesën e parë taktikisht e zgjidhëm gabim”, deklaroi fillimisht trajneri shqiptar.
“Nuk duhet mohuar faktin që Armend Thaqi dhe Nazmi Gripshi të dy luajtën me temperaturë. Armendi është i vetëm në pozicionin e tij, pra nuk kemi zëvendësim dhe e patë që u desh të përdorim lojtarë të ndryshëm. I falënderoj të dy për sakrificën e bërë. I kemi shënuar dy gola vetë me dy gabime individuale të mbrojtëseve tanë, por ekipi duhet ta mbajë kokën lartë, pasi pësuam nga një Ludugorets që është në të gjitha drejtimet mbi neve”, ka thënë Daja duke shtuar në fund se skuadra dhe ai kanë bërë më të mirën e mundshme me kushtet që kanë”, përfundoi trajneri Daja.
Tash, Ballkani do t’i vazhdojë garat në Ligën e Konferencës, aty ku e bëri historinë në edicionin e kaluar.