Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq i ka shprehur shqetësimin e tij shefes së Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK) Caroline Ziadeh lidhur me situatën e sigurisë dhe politike në Kosovë.
Por, gjatë takimit të tyre në Beograd, ai i është ankuar shefes së UNMIK-ut edhe për “incidentet e shpeshta kundër serbëve” dhe “lëvizjet e njëanshme të Kosovës”, ka njoftuar ministrja e Jashtme serbe.
Daçiqi, sipas njoftimit, i ka thënë Ziadeh se “Beogradi është i përkushtuar në dialog si mënyra e vetme për normalizimin e marrëdhënieve” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por shtoi se “thelbi është respektimi i asaj që është rënë dakord më parë”.
Sipas tij, “ende nuk ka progres në zbatimin e obligimeve të marra nga pala tjetër, para së gjithash në lidhje me themelimin e Asociacionit” të Komunave me Shumicë Serbe, dhe edhe një herë përmendi “vijat e kuqe” të Serbisë në procesin e dialogut.
Me “vijat e kuqe”, zyrtarët serbë nënkuptojnë se Serbia nuk është e gatshme të njohë pavarësinë e Kosovës apo të pajtohet me hyrjen e Kosovës në Kombet e Bashkuara.