Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq ka thënë në Nju Jork se numri i vendeve që do të tërheqin ose “ngrijnë” njohjet e Kosovës do të rritet deri në fund të vitit.
Advertisement
Në këtë drejtim, shpreson Daçiq, numri i atyre që njohin pavarësinë e Kosovës do të bjerë në më pak se gjysmën e anëtarëve të OKB, përcjell Telegrafi.
Daçiq, në një prononcim për gazetarët, ka thënë se delegacioni serb kishte biseduar me përfaqësuesit e 53 vendeve anëtare në tre ditët që zgjati Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dhe se “nëse do të shtoheshin edhe dy ditë, ai numër do të tejkalonte 100”.
“Presidenti foli me disa rreth çështjeve strategjike, dialogut me Prishtinën, por gjithashtu ka pasur edhe shumë takime në lidhje me statusin e Kosovës. Mund të them hapur, siç njoftoi Presidenti, se qytetarët tanë mund të jenë të sigurt se në periudhën e ardhshme do të ketë më shumë vende që do të tërhiqen ose pezullojnë vendimet për njohjen e Kosovës”, ka thënë Daçiq, shkruajnë mediat serbe.
Ministri i Jashtëm i Serbisë ka folur edhe rreth Interpolit duke thënë se nëse do të kishte votim për Kosovën, me siguri nuk do të kalonte. /Telegrafi/
PostAdss