Ministri i Punëve të Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se Serbia mund të ndalojë përkohësisht fushatën për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, vetëm nëse Kosova ndalon fushatën për njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare, duke shtuar se problemi është se “ne asgjë nuk i besojmë shqiptarëve dhe Prishtinës”.
Sipas mediave serbe, këtë deklaratë shefi i diplomacisë serbe e ka bërë duke komentuar njoftimin e sotëm të emëruarit të Shtëpisë së Bardhë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ku ai deklaroi se ka marrë garanci nga Beogradi se do të ndalojë përkohësisht fushatën për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, kurse nga Prishtina që të pushojë kërkesat e saj për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Daçiç thekson se ky ishte pozicioni i Serbisë vite më parë.
“Nëse është e vërtetë ajo që e dërguari i posaçëm i Presidentit amerikan, Richard Grenell postoi në Twitter, kjo do të thotë se ai mori garanci nga Prishtina se do të ndalojë fushatën për njohjen e Kosovës dhe kërkesat për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, dhe ky ishte pozicioni i Serbisë, i prezantuar vite më parë nga presidenti Aleksandar Vuçiq”, tha Daçi.
Në një deklaratë, me rastin e njoftimit të Grenell, se përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë mund të takoheshin në Shtëpinë e Bardhë në Uashington në 27 qershor, Daçiq përsëriti se Serbia mund të pezullojë përkohësisht fushatën për tërheqjen e njohjeve ndaj Kosovës, vetëm nëse Prishtina ndalon fushatën për njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
“Problemi megjithatë është se ne nuk kemi besim te shqiptarët në Prishtinë, sepse ata gjithmonë kanë gënjyer dhe kanë bërë lëvizje të njëanshme. Ashtu si kur e nënshkruan marrëveshjen e Brukselit, dhe tash shtatë vjet refuzojnë të formojnë Asociacionin e Komunave Serbe”, tha Daçiq.
emëruari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, njoftoi se qeveritë e këtyre dy vendeve janë pajtuar që të takohen më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, pasi palët janë pajtuar që t’i heqin pengesat për dialog.
Përmes një postimi në Twitter, Grenell tha se Serbia u pajtua që të pezullojë përkohësisht fushatën e çnjohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe Kosova u pajtua të pezullojë përpjekjet për t’u anëtarësuar në mekanizma ndërkombëtarë.