Site icon PrishtinaPress

Daçiq për apelin e Listës Serbe: Ky mesazh kërkon reagimin e shtetit të Serbisë

Ish-shërbëtori i vogël i kriminelit të luftës Sllobodan Millosheviq, tani trashëgimtar i tij në krye të Partisë famëkeqe Socialiste Serbe dhe aktualisht shërbëtori i Vuçiqit në funksionin e ministrit të jashtëm serb Ivica Daçiq ka pretenduar se “apeli i Listës Serbe drejtuar qeverisë serbe për shpalljen e forcave të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës si organizatë terroriste është një mesazh politik që kërkon reagim nga shteti i Serbisë”.

Daçiq ka thënë për televizionin pro-qeveritar serb B92 se “struktura” aktuale e politikanëve në Prishtinë “ka dal nga organizata terroriste UÇK” dhe ka shtuar se “kjo linjë ka qenë e pranishme në Kosovë për shumë vjet”.

“Edhe qeveria amerikane i kishte në listën e organizatave terroriste e që në fund e prezantuan si ushtri çlirimtare. Pas vitit 2000 ata bënë transformime të ndryshme të UÇK-së, edhe pse sipas Rezolutës 1244 ekziston obligimi që të shpërbëhen të gjitha formacionet e armatosura”, ka thënë Daçiq, transmeton Paparaci.

Ai ka pretenduar se qëllimi i Prishtinës është që organizata të caktuara nga veriu i Kosovës t’i shpallë terroriste, “për të shkaktuar frikë dhe shpërngulje të serbëve”.

“Kështu është hapur gjuetia e serbëve, ata kështu mund të shpallin terrorist të gjithë popullin tonë në veri të Kosovës”, ka pretenduar Daçiq.

Duke komentuar deklaratën e kryeministrit Kurti se në veri të Kosovës janë identifikuar 45 persona të organizatave terroriste “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, Daçiq pyeti nëse Beogradi duhet të publikojë emrat e të gjithë shqiptarëve nga Kosova por edhe nga Bujanoci dhe Presheva, të cilët sipas tij “kanë vite që demonstrojnë kundër Serbisë”.

“A është kjo rruga drejt normalizimit? Mendoj se serbët kanë të drejtë të shprehin pikëpamjet e tyre politike”, ka thënë Daçiq, sipas të cilit edhe sulmet me armë zjarri ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe sulmet me bomba janë “shprehje e pikëpamjeve politike”./Paparaci.com

Exit mobile version