Site icon PrishtinaPress

Daçiq: Nuk e mbron bashkësia ndërkombëtare Kosovën, ata e mbrojnë veten

Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka thënë se “bashkësia ndërkombëtare është edhe e shurdhër edhe memece” kur bëhet fjalë për veprimet e Kosovës dhe se duan të tregojnë me të gjitha forcat se kanë pasur të drejtë kur e kanë krijuar, siç thotë ai, “atë bërthamën separatiste”. “Ata nuk po e mbrojnë Kosovën, po e mbrojnë veten dhe veprimet e tyre të asaj periudhe”, ka thënë Daçiq, transmeton televizioni serb RTS.

Daçiq ka thënë se “ajo që po ndodh në Kosovë është tregues se si është udhëheqja e Kosovës”.

Ai tregon se përveç Albin Kurtit, faktori më i rëndësishëm është ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwartz.

“Ajo është një eksponente gjermane nga ai bllok politik, i cili në vitet nëntëdhjeta ka thënë “as Amerika, as Gjermania dhe askush nga jashtë nuk do të na sjellë pavarësinë, vetëm armët tona”. Pra, ata duan të arrijnë pavarësinë e tyre me dhunë me çdo kusht. Qëllimi i tyre është Kosova e pavarur, dhe pengesë për këtë janë serbët që jetojnë atje, pengesë për këtë është udhëheqja serbe e udhëhequr nga presidenti ynë Vuçiq dhe lidhja dhe uniteti që kemi me serbët e Kosovës dhe rezistenca kolektive e serbëve ndaj shtypjes dhe terrorit të tillë”, ka pretenduar Daçiq në propagandën e tij antikosovare, natyrisht duke mos harruar detyrën e tije parësore që ta lavdërojë shefin e tij.

Ai gjithashtu ka pretenduar se ka pasur një sërë veprimesh “të njëanshme të Kosovës” që nuk kanë shkaktuar asnjë reagim.

“Të gjithë në botë e dënuan këtë dhe ne tani presim që komuniteti ndërkombëtar të tregojë nëse do ta tolerojë apo do të thotë se ku është kufiri i veprimeve të tilla. Nuk jemi të sigurt se kjo do të ndodhë sepse ekziston një sëmundje e quajtur shurdhim, që do të thotë se komuniteti ndërkombëtar është edhe i shurdhër, edhe memec. Ata që krijuan këtë bërthamë separatiste, që njohën Kosovën kundër të gjitha rregullave, që shkelën parimin e mbrojtjes së integritetit territorial dhe sovranitetit, duan të tregojnë me të gjitha forcat se kishin të drejtë. Ata nuk po e mbrojnë Prishtinën, po e mbrojnë veten dhe veprimet e asaj periudhe”, thotë Daçiq.

“Atë bebe që ata krijuan, tani duhet ta kontrollojnë, sepse “xhindi ka dalë jashtë shishes” dhe kërcënon të shkaktojë sërish destabilitet dhe luftë”, ka shprehur Daçiq të gjitha këto “ankesa” me përpjekje të kota që të krijojë një pozicion më të volitshëm për Serbinë për bisedimet e ardhshme që do të mbahen në Bruksel më 14 shtator.

Exit mobile version