Ministri i Punëve të Jashtme serbe, Ivica Daçiq tha sot se nuk ka ndërmend të udhëtojë në Strasburg të martën me rastin e 20 vjetorit të pranimit të Serbisë në Këshillin e Evropës, “nëse Kosova do të pranohet në atë institucion një ditë më vonë”.
Ai tha se në 10 vjetorin e Marrëveshjes së Brukselit, njoftohet se Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës do të fillojë procedurën për pranimin e Kosovës në atë institucion.
“Çfarë mesazhi është ai? Është një poshtërim dhe një mesazh që Kosova mund të bëjë çfarë të dojë. Nëse ato njoftime janë të vërteta, sigurisht që nesër nuk do të shkoj në Strasburg”, tha Daçiq dhe shtoi se “diçka që nuk është shtet, nuk është pranuar kurrë në Këshillin e Evropës”.