Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka mohuar pretendimet e ministrit të Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba se Serbia i është bashkuar Platformës së Krimesë.
Platforma e Krimesë është një nismë e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ukrainës, e aktivizuar në vitin 2021, për të kundërshtuar në mënyrë diplomatike aneksimin rus të Krimesë në vitin 2014.
“Serbia nuk i është bashkuar Platformës së Krimesë apo deklaratës, kryeministri ka marrë pjesë në punimet e atij takimi përmes një videomesazhi, por ne nuk e kemi përkrahur, as nuk e kemi pranuar atë tekst të Platformës së Krimesë, pikërisht sepse shkon përtej kornizës që është e pranueshme për ne”, tha Daçiq, transmeton B92.
Deklarata e tij nuk është në përputhje me mesazhin e Kulebës, i cili dy ditë më parë tha se Serbia po merr pjesë në samitin e tretë të Platformës së Krimesë.
Kuleba vuri në dukje se numri i pjesëmarrësve të Platformës së Krimesë u rrit në 60 vitin e kaluar. Tani, me shtetet dhe organizatat e sapoemëruara, janë 67.
Daçiq iu referua edhe deklaratës për Ukrainën, për të cilën u pajtuan vendet e Ballkanit Perëndimor, Moldavia, Ukraina dhe përfaqësuesit e BE-së pak ditë më parë në Athinë, duke kujtuar se me kërkesë të Serbisë, pjesa që ka të bëjë me vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë, si dhe përmendja e emrave, është hequr nga deklarata emri i presidentit të Rusisë Vladimir Putin.