Eksperti amerikane, Luke Coffey, ka folur për sanksionimin e shefit të inteligjencës serbe, Alekasnder Vulin. Coffey ka thënë se deri tani nuk dihet qartë se deri në çfarë mase kjo lëvizje e SHBA-së është e lidhur me tensionet e fundit në mes të Kosovës dhe Serbisë apo me aktivitetin e Rusisë në Ballkan, shkruan Gazeta Express.
Coffey ka thënë se dihet për lidhjet e ngushta të Vulinit me Moskën, duke thënë se kjo mund të jetë një nga arsyet kryesore pse SHBA kanë vendosur sanksione, shkruan Zëri i Amerikës.
I pyetur se çfarë nënkupton saktësisht kur përmend Kosovën dhe Serbinë, Coffey ka thënë se është e vështirë të japë një përgjigje precize për diçka të tillë meqë i duhet më shumë informacion, megjithatë potencon se koha kur është marrë ky vendim nuk është rastësi.
Ai thotë se personalisht mendon që ka pasur deklarata kritike dhe disproporcinale të qeverisë amerikane të drejtuara ndaj Kosovës gjatë krizës në veri dhe për shkak të një qasje të tillë, ka pasur shumë kritika ndaj Uashingtonit për qasje të njëanshme.
Eksperti amerikan thotë se ndoshta kjo është një përpjekje e administratës për të treguar pak më shumë ekuilibër në angazhimin dhe qasjen lidhur me situatën në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Për mendimin tim, ne kemi qenë dëshmitarë të deklaratave kritike disproporcionale të qeverisë amerikane të drejtuara ndaj Kosovës gjatë krizës së fundit. Për shkak të kësaj, shumë kritika janë ngritur ndaj Uashingtonit – se ka marrë një qasje të njëanshme. Ndoshta kjo është një përpjekje e administratës për të treguar pak më shumë ekuilibër në angazhim dhe qasje në lidhje me situatën ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Cofey.