Site icon PrishtinaPress

“Çmimet e mallrave të importuara do të rriten”, Hoti kritikon vendosjen e kuotave tatimore në import

Ish-kryeministri, Avdullah Hoti, ka thënë që udhëzimi administrativ për vendosjen e kuotave tatimore në import që Qeveria e ka miratuar do të shkaktojë kaos në importe dhe do të pamundësojë importin me çmime të lira.

“Udhëzimi Administrativ 06/2024 për vendosjen e kuotave tatimore në import, i miratuar nga Qeveria më 07.08.2024, do të shkaktojë kaos në importe, do të riorganizojë tregtinë me jashtë mes kompanive kosovare dhe vendeve nga vijnë importet, si dhe do të pamundësojë importin me çmime më të lira”, ka shkruar Hoti në Facebook.

“Pasojat do t’i bartin qytetarët pasi çmimet e mallrave nga importi do të rriten, duke e rënduar koston e shportës së konsumit”.

“Është e pakuptueshme se si disa nga odat ekonomike nuk po reagojnë për këtë anomali në politikat tregtare”.

“Në vend të masave për mbështetje të prodhuesve vendor për të zëvendësuar mallrat nga importi, këta qeveritarë miratojnë udhëzime për administrim të importeve”.

“Fatkeqësisht, në këto katër vite qeverisje nuk ka pasur asnjë politikë ekonomike substanciale. Si rezultat, deficiti tregtar është thelluar për 2.2 miliardë euro. Sikur të ishin zbatuar vetëm masat e Politikës Fiskale 2.0, e lënë në gjysmë në Qeverinë Mustafa në vitin 2017, situata ekonomike do të ishte krejt ndryshe”.

Exit mobile version