Site icon PrishtinaPress

Çmimet e larta në Shqipëri, pushimet verore vetëm për dy ditë

Sezoni turistik ka bërë që çmimet e produkteve të shënojnë rritje në Shqipëri. Kështu thonë disa qytetarë që tashmë kanë kaluar pushimin verore në bregdetin shqiptar.

Sipas tyre, krahasim me vitin e kaluar, këtë vit çmimet janë dyfish më të larta. Si pasojë e kësaj, disa nga ata kanë vendosur të mos shkojnë në Shqipëri, e disa të tjerë shkojnë vetëm për ditët e vikendit.

Mirëpo, për disa të tjerë, çmimet nuk janë mjaft problematike për të pushuar këtë vit jashtë Kosovës. Agjensioni Turistik “Fibula”, këtë vit ka shënuar rritje të numrit të qytetarëve që duan të shkojnë në pushime jashtë vendit.

Fetihe Sipahu nga kjo agjenci thotë për KosovaPress se vendi më i preferuar që po zgjedhin kosovarët këtë vit është Turqia. Ndërsa, sa i përket Shqipërisë, vendi më i frekuentuar është Vlora.

“Interesimi i qytetarëve është relativisht i mirë. Interesimi më i madh është për Turqi, aty kemi Antaly dhe Bodrum. Por, kemi interesime edhe për Shqipërinë, Malin e Zi, kemi edhe për Egjiptin…Në Shqipëria kemi Vlorë, Sarandën, Durrësin, por më së shumti në Vlorë…Pra, interesimi këtë vit është më i madh se vitin e kaluar”, thotë Sipahu.

Sa i përket çmimeve, Sipahu tha se për Shqipëri është 110 euro për person me të gjitha shpenzimet e përfshira.

Këto çmime nuk mund t’i përballojnë edhe një pjesë tjetër e qytetarëve. Sipas qytetarit, Naser Lika çmimet në Shqipëri kanë shënuar rritje drastike.

“Shtrenjtë është, në tjera vende është më lirë, në Ulqin është shumë më lirë…Unë nuk shkoj, sepse 30 euro është një qadër me marrë, kur me ato para mund të ushqehesh gjithë ditën me familje në ndonjë vend tjetër. Unë vjet kam qenë dhe nuk e kanë lejuar qadrën që e kam pas me vete”, thotë Lika.

Edhe për një qytetar tjetër, i cili ka dashur të mbesë anonim, tha se çmimet janë të larta.

“Tash detin e bëjnë veç të shtunën dhe dielën, sepse mundësitë janë të vogla”, thotë qytetari.

Se çmimet kanë shënuar rritje e thonë edhe qytetarët që tashmë i kanë kaluar pushimet në Shqipëri.

Liridon Musa, i cili ka qenë në pushime me familje, pohon se këtë vit ka rritje të çmimeve.

“Më shtrenjtë ka qenë, pesë ditë kam qenë dhe gati 500 euro i kam shpenzuar…Por, edhe ne vet pak e teprojmë me lluks. E padrejtë është, një pijë me alkool ka qenë 7 euro në restorant”, thotë Musa.

Edhe për qytetarin, Drilon Miftari, çmimet këtë vit nuk kanë qenë të arsyeshme.

“Po shumë shtrenjtë, një ushqim vjet që ka qenë 7 euro, sivjet ka qenë 12 euro, pijet katastrofë, qadrat prej 5 euro janë shtrenjtuar rreth 12 euro, tre persona për katër ditë kanë kaluar 700 euroshin”, thotë Miftari për KosovaPress.

Ndërsa, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), 43 për qind e kosovarëve nuk janë në gjendje të kenë një shpenzim të menjëhershëm të shumës 100 euro./KP/

Exit mobile version