Projekti i promovuar nga dyshja Abdixhiku e Rama ka marrë goditje të rëndë nga Gjykata Komerciale. Është vendosur që të ndërpriten punimet. Shkak janë bërë pretendimi për mashtrim në tenderin mbi 8 milionë eurosh.
Gazeta Insajderi kishte publikuar hulumtimin për tenderin prej 8.5 milionë eurosh për ndërtimin e Rrugës A në Prishtinë, që iu dha firmës “Sallahu”, ku pronari i saj ishte dënuar për mashtrim.
Pas kësaj goditje ka reaguar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ku sipas tij kjo është “një çmenduri që të lë pa fjalë”.
“Rruga A po ecte në ritëm të mbarë. Punë e palodhshme, në kohë rekord e në afat. Një lagje e re për Prishtinën, një komunitet i ri në bërje. Por ja që në Kosovën e popullistëve puna krijon kundërshtarë”, ka shkruar Abdixhiku në rrjetin e tij në Facebook.
Sipas tij gjykatësja është motra e deputetes Fitore Pacollit.
“Sot, një gjykatëse vendosi ta ndalojë atë. Ta ndalojë punën e ndërtimit të rrugës ‘Jim Xhema’ në gjysmë të saj. Gjykatësja, del të jetë motra e deputetes në pushtet”.
Tutje, Abdixhiku ka thënë se pushtetarët nuk bëjnë punë vet por as punën e tjetrit se durojnë.
“Këta janë përplot mllef e urrejtje; dhe fatkeqësisht urrejnë qytetarët e vet. Punë s’bëjnë vet por punën e tjetrit se durojnë dot”, është shprehur Abdixhiku.