Site icon PrishtinaPress

Çka thanë ndërkombëtarët për zgjedhjet në Veri

Dje në katër komunat veriore të Kosovës janë mbajtur zgjedhjet. Në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë, ndërsa në Leposaviq dhe Zveçan qytetarët kanë votuar për të zgjedhur kuvendet komunale.

Pas shpalljes së rezultateve preliminare, kanë reaguar ambasadori francez dhe ambasada amerikane.

Sipas rezultateve të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në Leposaviq dhe Mitrovicë të Veriut kanë fituar kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, derisa në Zveçan dhe Zubin Potok fitues kanë dalë kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Në këto zgjedhje nuk ka marrë pjesë Lista Serbe, që ka ndikuar që serbët lokalë t’i bojkotojnë ato. Sipas KQZ-së, kutive të votimit i janë drejtuar 3,47 për qind.

Pas të dhënave të publikuara nga KQZ, kanë reaguar ambasadori i Francës Olivier Guerot dhe ambasada amerikane në Kosovë.

Ambasadori Guerot në një postim në Tëitter ka thënë se zgjedhjet më kaq pak votues nuk sjellin zgjidhje politike, derisa si pikë pozitive e përmend profesionalizimin e Policisë së Kosovës, KFOR-it e EULEX-it.

Poashtu, Guerot ka kërkuar zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.

”Këto zgjedhje me kaq pak votues nuk sjellin zgjidhje politike. Na vjen keq për mungesën e pjesëmarrjes nga disa parti. Pika pozitive: profesionalizmi i policisë së Kosovës, Kfor / EULEX. Tani duhet të zbatojmë marrëveshjen e Ohrit”, ka shkruar ai.

Për zgjedhjet në Veri, ambasada amerikane në Kosovë e ka lëshuar një komunikatë, ku thuhet se ky proces u mbajt në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës.

Ambasada ka thënë se “u vjen keq” që jo të gjitha partitë e kanë shfrytëzuar të drejtën për garuar.

”Ne mbështesim një demokraci të larmishme, gjithëpërfshirëse, multietnike në Kosovë dhe zgjedhjet që e mbështesin atë. Na vjen keq që jo të gjitha partitë shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e sotme. Pjesëmarrja në zgjedhje ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullatave të cilave u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike”, thuhet në komunikatë.

”Ne i njohim përpjekjet e zyrtarëve zgjedhorë kosovarë për t’i vënë në dispozicion vendet e votimit për qytetarët që dëshirojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, duke minimizuar pikat e mundshme të tensionit. Gjithashtu shprehim mirënjohjen tonë për profesionalizmin e Policisë së Kosovës, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe KFOR-it në sigurimin e një mjedisi të sigurt për zgjedhjet”.

Ambasada e SHBA-së thotë se do të angazhohen me palët relevante për hapata e ardhshëm dhe përmend zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit.

”Ne do të vazhdojmë të angazhohemi me të gjitha palët relevante për hapat e ardhshëm. Ne gjithashtu ritheksojmë rëndësinë dhe përkushtimin tonë për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit”, përmbyllet komunikata.

Sipas të dhënave preliminare të KQZ-së, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë të Veriut, Erden Atiq, fitoi 66.5 për qind të votave, apo 519 vota gjithsej. Lulzim Hetemi nga radhët e VV-së fitoi garën për kryetar të Leposaviqit me 100 vota, apo 73.5 për qind të atyre që shfrytëzuan të drejtën e votës.

Ndërkohë ambasadori suedez në Kosovë, Jonas Westerlund, ka vizituar dje disa vendvotime në Leposaviq. Ai ka thënë që shpreh keqardhje për mospjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje.

‘’Kjo është hera e parë që Lista Serbe i bojkoton zgjedhjet. Pastaj është e mundshme që zgjedhjet të mbahen kudo, me shumë mundësi në shkolla si më parë. Lista Serbe mori pjesë në zgjedhje tetë herë. Kjo është hera e parë që ata nuk participuan, fatkeqësisht. Por sipas Kushtetutës së Kosovës, zgjedhjet duhet të mbahen dhe ky është vendimi i Presidentes’’, tha Westerlund.

Në Zubin Potok, Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës mori 52.1 për qind të votave, apo 196 vota. Ndërkaq, në Zveçan, Ilir Peci po nga Partia Demokratike e Kosovës fitoi 60 për qind të votave apo 114 vota. Kandidatja e pavarur në këtë komunë, Sllagjana Pantoviq – që ishte kandidatja e vetme serbe – fitoi pesë vota, apo 2.6 për qind.

Sipas Policisë së Kosovës, zgjedhjet në Veri u mbajtën pa incidente.

”Policia e Kosovës (PK), deri në këtë fazë realizoi me sukses planin operativ për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës, proces ky i cili në aspektin e sigurisë vlerësohet se ka kaluar i qetë dhe pa asnjë incident”, thuhej në komunikatë./prishtinapress.net/

Exit mobile version