1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Çka parasheh Projektkodi Civil dhe pse nuk lejohen martesat e gjinisë së njëjtë në Kosovë

Martesat e gjinisë së njëjtë në Kosovë i lejon Kushtetuta, por deri më tani ato nuk janë lejuar me Kodin Civil dhe Ligji për familjen.

Në Kushtetutën e Kosovës thuhet “se në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin”.

Projektkodi Civil thotë se “martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua”.

Por, neni i radhës thotë se “bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara” dhe se kushtet dhe procedura lidhur me këtë rregullohen me ligj të veçantë.

Ky paragraf ka nxitur edhe reagimet e organizatave joqeveritare që merren me të drejtat e komuniteti LGBTI (Lezbiket, Homoseksualët, Biseksualët, Transgjinorët dhe Ndërseksualët).

Drejtori ekzekutiv i Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD), Arbër Nuhiu, e quan të pakuptueshëm termin “bashkësitë civile” dhe se ky komunitet, thotë ai, nuk do të pranojë një gjë të tillë.

“‘Bashkësitë civile’ nuk përkufizohen në legjislacion, duke përfshirë edhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kjo nuk ka kurrfarë rrjedhshmërie dhe ne nuk e dimë se a do hartohet një ligji i veçantë për këtë çështje. Ne gjithsesi do të vazhdojmë punën me deputetët e Kuvendit për të zgjidhur këtë problem”, thotë Nuhiu për Radion Evropa e Lirë.

Nuhiu ka qenë i pranishëm në grupin punues të Projektkodit dhe tregon se rekomandimet e organizatave joqeveritare kanë qenë që martesa të definohet midis personave, ashtu siç është në Kushtetutë.

“Të përdoret termi neutral, që nënkupton të përdoret termi bashkëshortë”, thotë Nuhiu.

Dallimi mes martesës dhe bashkësisë civile

Edhe pse me anë të këtij Projektkodi nuk definohet se çfarë është “bashkësi civile”, aty shkruan se “të martuarit dhe partnerët në bashkësi civile gëzojnë të drejta dhe detyra reciproke në bazë të këtij Kodi”.

Në vende perëndimore, bashkësitë civile nuk konsiderohen si martesa, por si marrëdhënie e ligjshme ndërmjet dy personave, që siguron mbrojtje ligjore për çiftin, vetëm në nivel shtetëror.

Në Bashkimin Evropian, bashkësitë civile lejojnë dy persona që jetojnë së bashku në çift, të regjistrojnë marrëdhënien e tyre me autoritetin publik përkatës në vendbanimin e tyre. Dallimet midis vendeve të BE-së në këtë fushë po ashtu ekzistojnë. /REL/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img