Në mbledhjen e mbyllur, të mbajtur të enjten në Këshillin e Bashkimit Evropian, Radio Evropa e Lirë merr vesh se është propozuar që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS.
Ky propozim besohet se është bërë nga zyrtarët francezë, dhe është mbështetur prej të paktën katër shteteve tjera: Suedisë, Belgjikës, Holandës dhe Spanjës.
ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit.
Pas shqetësimeve në rritje për terrorizmin dhe krizën me migrantë, zyrtarët evropianë kanë bërë thirrje prej kohësh për menaxhim më të mirë të njerëzve që hyjnë në kufijtë e BE-së.
Përmes këtij sistemi për autorizim të udhëtimit do të mblidhen dhe do të përditësohen informacionet e nevojshme për të vërtetuar se një person nuk përbën kërcënim për sigurinë.
Ky sistem është krejtësisht elektronik, që mundëson marrjen e informacioneve për banorët e vendeve që nuk kanë nevojë për viza për të hyrë në Zonën Schengen.
Ky sistem është i ngjashëm me sistemin amerikan ESTA, që shërben për qëllime të njëjta.
Procedura ligjore për të miratuar sistemin ETIAS ka nisur më 2016, dhe sistemi pritet të jetë plotësisht operacional brenda vitit 2023 – pa ndonjë datë të saktë.
Komisioni Evropian ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën më 2018.
Më 12 tetor të këtij viti, ky Komision ka konfirmuar në Raportin vjetor të Progresit se mbështet rekomandimin e bërë për heqjen e vizave për Kosovën dhe konstatimin se shteti i ka përmbushur të gjitha kriteret.
Çka është ETIAS-i?
Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), është sistem i krijuar nga Bashkimi Evropian me qëllim të mbrojtjes dhe forcimit të kufijve. Qëllimi i tij është identifikimi i rreziqeve dhe i kërcënimeve që lidhen me turistët që udhëtojnë në cilindo shtet të zonës Schengen.
Autorizimi i ETIAS-it do të nevojitet për të hyrë në një vend anëtar të Shengenit nga ajri, toka ose deti. Nga nëntori i 2023-s, vizitorët që nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në Evropë do të mund të regjistrohen në ETIAS. Ky sistem do të bëhet kërkesë e detyrueshme hyrjeje.
Shtetasit nga 62 vende, përfshirë Shqipërinë, SHBA-në, Kanadanë apo Australinë, do të duhet të përdorin ETIAS-in.
A është autorizimi për udhëtim i ETIAS-it një vizë e re?
Autorizimi ETIAS nuk është një vizë. Shtetasit e vendeve me liberalizim të vizave, sikurse Shqipëria, do të vijojnë të udhëtojnë pa viza në BE, por thjesht do t’u kërkohet që të marrin një autorizim nëpërmjet ETIAS-it para udhëtimit të tyre.
Autorizimi për udhëtimet ETIAS nuk rivendos detyrimet që kërkohen për vizat. Nuk ka nevojë të paraqiteni në një konsullatë për të bërë një aplikim dhe nuk merret asnjë e dhënë biometrike.
Aplikimi online ETIAS plotësohet brenda vetëm pak minutave. I vetmi dokument që do t’ju nevojitet për të aplikuar në ETIAS është pasaporta e vlefshme. Kostoja për të marrë një ETIAS është 7€ për person, ndërsa personat nën moshën 18 vjeç përjashtohen nga pagesa e kësaj tarife.
Pas miratimit, autorizimi ETIAS është i vlefshëm për tre vjet, për një numër të pakufizuar hyrjesh në të gjitha vendet e zonës Shengen, nëse nuk qëndron më shumë se 90 ditë në një periudhë prej 180 ditësh.
Cilët janë objektivat e ETIAS-it?
Për BE-në, objektivi kryesor është forcimi i kontrolleve të sigurisë për personat që udhëtojnë pa viza në zonën Shengen, me qëllim përforcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe parandalimin e migrimit të parregullt.
Gjithashtu, do të përmirësojnë manaxhimin e kufijve duke thjeshtëzuar burokracinë dhe vonesat për udhëtarët kur paraqiten në kufi. Synimi është që të sigurohet një vlerësim i koordinuar i rreziqeve që paraqiten nga shtetas të caktuar të vendeve të treta në Vendet Shengen. Pritet që ky sistem të ulë në mënyrë të qenësishme numrin e refuzimeve të hyrjes në pikat e kalimit të kufirit./Prishtinapress/