“Çka batë, Zoti ju marroftë” janë fjalët me të cilat babai i të ndjerit F.K., Rrahman Krasniqi thotë t’iu ketë drejtuar dy nipave Bali dhe Baki Reçica, të cilët po akuzohen për vrasjen e djalit të tij.
Në anën tjetër, për këtë vrasje bashkëshortja e të ndjerit, Shpresa Krasniqi thotë se gjithë jetën do të kërkojë drejtësi. “Për ton jetën e gat sa t’jam me frym, edhe frymën e fundit kam me luftu për drejtësi për burrin tem”, ka thënë ajo.
Këto deklarime janë bërë gjatë seancës të mbajtur të premten, në rastin ku Bali dhe Baki Reçica po akuzohen se kanë vrarë djalin e dajës së tyre, tani të ndjerin F.K.
Fillimisht, bashkëshortja e tani të ndjerit ka vazhduar dëshminë e saj të cilën e kishte filluar më 10 qershor.
Duke u përgjigjur në pyetje të avokatit Skender Musa, që mbron të akuzuarin Bali Reçica, dëshmitarja fillimisht ka konfirmuar se kanë lokale te rruga kryesore.
“Lokali jonë ka qenë i pari që është ndërtuar pas lufte nga bashkëshorti”, ka thënë ajo.
Dëshmitarja Krasniqi ka deklaruar se nuk ka njohuri se ka pasur ndonjë ofertë burri i saj për pronën kontestuese që është objekt i akuzës.
Avokati Musa ka pyetur dëshmitaren nëse ka njohuri se a ka qenë i lënduar në ditën kritike edhe i akuzuari Bali Reçica, për çka ajo mohoi të ketë dëgjuar një gjë të tillë.
Ndërkaq, duke u përgjigjur në pyetje të avokatit Fanol Krasniqi që mbron Baki Reçicën, dëshmitarja ka thënë se kur kanë blerë pronë, kanë qenë të ndërtuara dy shtëpi banimi dhe më pastaj kanë ndërtuar edhe lokalin, duke shtuar se ka qenë edhe e njëjta rrugë që shfrytëzohet edhe sot.
Ajo për lokalet dhe shtëpitë ka deklaruar se janë të pajisura me leje dhe se të njëjtat i posedon.
Ndërkaq, deklaroi se nuk kanë bërë kërkesë me shkrim në komunë për të sqaruar gjendjen për pronën kontestuese, mirëpo sipas saj, gojarisht të njëjtit kanë qenë gjithmonë të lajmëruar nga bashkëshorti e vjehrri i saj.
“Është diçka tu u mshef e madhe mas kësaj prone”, ka thënë Krasniqi.
Në fund të dëshmisë së saj, dëshmitarja tha se pas vdekjes së bashkëshortit të saj kanë pasur provokime nga familjarët e të akuzuarve.
“Pas vdekjes së bashkëshortit kemi pas provokime nga familjarët e ktyne, tu na pru edhe njerëz të rrezikshëm, kishe në mbikëqyrje të shtëpisë së tyre, fëmijët asnjëherë nuk janë rahat e i kam dërgu në psikolog e psikiatër. Për ton jetën e gat sa t’jam me frymë, edhe frymën e fundit kam me luftu për drejtësi për burrin tem”, ka thënë ajo.
Tutje, gjykimi ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Rrahman Krasniqi, i cili është babai i të ndjerit.
Fillimisht, dëshmitari Krasniqi tha se me të akuzuarit dhe motrën e tij ka pasur raporte të mira shumë dhe i ka konsideruar si familje të tij.
“Në 1999 jam kthyer nga Gjermania, ku kam punuar atje për 7 vite, kam ble shtëpinë në po atë vit, në Lipjan, në rrugën “Lidhja e Prizrenit”. Pronën e kam ble prej një serbi, kontratë kom bo te avokati. 20 vjet shpija jem su dal në emër tem. Shtëpinë para 1 viti e kam qit në emër tim”, ka thënë ai.
Sipas tij, shtëpinë kur e ka blerë, rruga ka qenë pak më poshtë se sa rruga që është kontestuese, ku ka qenë e gjerë 12 metra dhe e gjatë 10 metra.
“Unë jam marr vesh me Shabanin, babën e të akuzuarve, i cili më ka thënë se unë pe nxo qët rrugën 12 me 10 metra, pi investoj garazhet, ndërsa ti dil drejt. Jena marr vesh kjo me ndodh”, ka thënë ai.
Tutje, dëshmitari tha se kanë dalë në rrugën drejtë dhe ajo pronë ka qenë e serbes, nga e cila ka blerë shtëpinë ai.
“Këtë rrugë, ku është edhe sot, fillum me shfrytëzu, ku kemi qenë zhavorr dhe do tulla me rrafshu dhe e kena shfrytëzu pa pengesa deri pak para ngjarjes kritike. Këtë pronë, më pastaj e kish ble Shabani, pa dijeninë tonë dhe na ka thënë neve që rrugë më s’keni këtu. Nuk kena pas rrugë tjetër për me dal në rrugë kryesore”, ka thënë dëshmitari.
Ai deklaroi se raportet mes dy familjeve janë acaruar që 10 vite para ngjarjes kritike. Ndërkaq, deklaroi se ka dërguar ndërmjetësues, Nazmi Vishasellën dhe Halim Zogianin, ku qëllimi i ndërmjetësimit kishte qenë që t’i lirohet prona dëshmitarit.
“Ndërmjetësuesit kanë thënë që rruga është e lirume dhe rruga u liru. Kur dolëm me mat rrugën, dul Shabani me Bakinë edhe Nebi Reçica, kryetari i gjykatës komunale në Lipjan, me të cilin të akuzuarit janë familjarë. Në vend të ngjarjes kanë dal dy ndërmjetësuesit së bashku me Shabanin, Baki e Nebinë, e prej anës tem veç un kam qenë”, ka thënë dëshmitari.
Sipas tij, Nebi Reçica kishte thënë se pse duhej të merren ndërmjetësues kur janë miq dhe mund të merren vesh vet.
“Pas një muaji fillova ta shtroj rrugën me kocka, ku Shabani e ka qu vëllain tem dhe ka thënë mos e shtro këtë rrugë se prona është e imja. Kockat nuk i shtrova pasi ai tha mos i shtro”, ka thënë dëshmitari.
Krasniqi shtoi se babai i të akuzuarve, pas një kohe ka shkuar te noteri dhe ka bërë një kontratë, ku shkruan se kur t’i duhet prona do ta mbyll rrugën.
Tutje, ai ka dëshmuar edhe për pengesa të tjera që kanë hasur në rrugën kontestuese, të cilat janë sjell nga babai i të akuzuarve dhe shokët e tij.
“Ka pas kubëza, përafërsisht ka 100 kilogram i kanë pas, i ka vendos në pjesën e rrugës tonë. Na prapë ja kemi hek. Kjo ka ndodh përafërsisht 1 vit para se me ndodh ngjarja”, ka thënë dëshmitari.
Në ditën kritike, kur ka ndodhur vrasja, dëshmitari deklaroi se ka qenë në shtëpinë e tij, ku në një oborr i kanë pasur shtëpitë me djalin e tij.
“Unë jam kon në shpi, bashkëshortja jeme, janë kon dy motrat e mija. Edhe gruaja e dajës u kon. F.K e kam parë në shtëpi të vet, se garazhën e ka në dalje të rrugës tonë. U kon tu ushtru boks, e ka pas thesin e lëkurës, ka ushtru gjith”, ka thënë ai.
Dëshmitari deklaroi se për herë të fundit djalin e tij e ka parë dy orë para se të ndodhte rasti.
Sipas tij, djali i të ndjerit është nisur për të shkuar në punë dhe duke i mbathur këpucët e ka parë ngjarjen dhe e kanë dëgjuar të gjithë zërin e tij duke bërtitur “ kam m’jau bo kshtu kshtu, ma therrët babën”.
“Na kemi dal jashtë me bashkëshorten e dy motrat e mia, Zylfije Jashanica dhe Minire Olluri. Motra ka nga e para, unë jam dal i dyti, motra e ka parë ngjarjen. Unë nuk kam pa. Unë jam dal te dera e hyrjes së oborrit dhe e kam parë F.K duke hyrë në oborrin tim, e mbajke dorën me nal gjakun me dorën e majtë afër brinjëve, katër-pesë pika gjak i ranë në kocka dhe e kam pyet çka ka ndodh, i njëjti tha se me therri me shllavciger Balia. E kam ul në shkallë”, ka thënë ai.
Tutje, tha se kanë thirr djalin e tij, Eminin, i cili e ka dërguar në emergjencë tanimë të ndjerin.
“Unë mbeta në shtëpi. Dola në rrugë, te vendi ku ka ndodh ngjarja, i kam parë Balinë dhe Bakinë duke hyrë në shtëpi të vet. Ju thash “çka batë, Zoti ju marroftë”, Bakia tha “ kena me ju pre krejtve”, ka thënë dëshmitari.
Sipas tij, kur ka dal në rrugë, prezent kishin qenë edhe policia e se nuk e di kush i ka njoftuar të njëjtit, e se fjalët që i kishte thënë Baki Reçica i kanë dëgjuar edhe policët.
Dëshmitari tha se në vend të ngjarjes ka parë policinë dhe thikën me gjakun e F.K që e kanë marrë policia nga vetura e Baki Reçicës.
Pas rastit, dëshmitari tha se nuk kanë biseduar me familjen Reçica, por se kjo familje u kishte dërguar mesazhe mes njerëzve se “aty udhë më nuk keni”.
Seanca e ardhshme, ku ky dëshmitar pritet të vazhdojë dëshminë e tij dhe ku është paraparë të dëgjohen edhe djemtë e të ndjerit, pritet të mbahet me 10 shtator.
Po ashtu, trupi gjykues ka caktuar seancë tjetër edhe me 20 shtator, me fillim nga ora 9:00.
Ndërkaq, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Alban Ajvazi, ka refuzuar propozimin e mbrojtjes së Baki Reçicës, i cili propozoi që klientit të tij t’i zëvendësohet masa e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak.
Sipas aktakuzës së ngritur me 29 janar 2021, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Bali dhe Baki Reçica po akuzohen se më 7 shtator 2019, në rrugën “Lidhja Prizrenit”, në Lipjan, para shtëpisë së tani të ndjerit F.K dhe shtëpisë së të akuzuarve Reçica, kishin privuar nga jeta tani të ndjerin F.K, të cilin e kanë pasur djalë të dajës.
Në aktakuzë thuhet se derisa kushëriri i tyre, dëshmitari Muhamet Reçica, ishte duke punuar për të akuzuarit, kishte shkuar për të hedhur karrocën me mbeturina betoni afër shtëpisë së tani të ndjerit F.K, përkatësisht në pronën kontestuese për të cilën për l0 vjet kishin mosmarrëveshje në mes të dy palëve, tani i ndjeri nuk e kishte lejuar që ta hedh bërllogun me arsyetimin se i pengonte para shtëpisë.
Sipas aktakuzës, dëshmitari Muhamet ishte kthyer dhe e kishte informuar të akuzuarin Baki, i cili e kishte marrë karrocën me mbeturina dhe sipas marrëveshjes në mes tyre dy të akuzuarit kishin shkuar në vendin e ngjarjes për të hedhur bërllogun, ndërsa pas tyre ishte nisur dëshmitari Muhamet Reçica dhe me të mbërritur, tani i ndjeri iu kishte thënë “kthehuni mbrapa se nuk keni me zbraz kolic me mbeturina këtu”, ndërsa i akuzuari Baki me vendosmëri i kishte thënë “pse nuk bon, un bash këtu kam me e shpraz”, dhe e ka lëshuar karrocën nga dora.
Siç thuhet në aktakuzë, tani i ndjeri F.K, kishte reaguar për t’i penguar, e pastaj të akuzuarit Reçica me dashje që ta privojnë nga jeta e kanë goditur fillimisht me kaçavidë dy herë në gjoks, ku tani i ndjeri F.K, në vetëmbrojte ka marrë një shufër metalike nga toka dhe me të e ka goditur të akuzuarin Bali, ndërsa i akuzuari Bali e ka goditur atë me thikë tek zemra, ndërkohë i akuzuari Baki e ka goditur me shufër pas kokës, ku pas lëndimeve të ndjerin e kishin dërguar në QKUK në Prishtinë, ku të njëjtën ditë ka ndërruar jetë.
Për këto veprime, prokuroria po i ngarkon të akuzuarit Reçica se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “vrasje e rëndë”, nga neni 173, pika 1.3 lidhur me nenin 31, të KPRK-së, ndërsa të akuzuarin Bali Reçica po e ngarkon edhe me armëmbajtje pa leje, për shkak të thikës që i akuzuari e kishte përdorur në këtë rast. /BetimipërDrejtësi