Site icon PrishtinaPress

Çitaku: Turp që Kurti merret me Thaçin, i cili s’mund t’i përgjigjet sepse po e mbron UÇK-në

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, ku ky i fundi tha se projekti i shkëmbimit të territoreve ka pasur homolog edhe në Kosovë.

Çitaku në një postim në Facebook ka thënë se është turp që Kurti merret me ish-presidentin Hashim Thaçi, njofton Klankosova.tv.

“Ka kohë që Kryeministri Kurti merret me Presidentin Thaçi, si në Kuvend të Kosovës ashtu edhe në vizita të tija jashtë vendit. Kjo është një turp që vetëm sa e shpërfaq vogëlsinë e kryeministrit aktual dhe cektësinë e rezultateve te qeverisjes së sotme”.

“Presidenti Thaçi nuk ka mundësi t’ia kthej sepse është në paraburgim duke mbrojtur UÇK-në”, theksoi Çitaku.

Tutje, ish-ambasadorja e Kosovës në ShBA tha se rezultatet e qeverisjes Thaçi, autostradat, aeroporti, njohjet dhe vetë pavarësia jonë, “shihen, preken, udhëtohen, përjetohen, gëzohen”.

Ndërsa tha se “rezultati i vetëm i Kurtit është një urë këmbësorësh në një fshat dhe një mori sanksionesh nga aleatët tonë”.

“I pabesë si me tanët ashtu edhe me të huajt”, përfundoi Vlora Çitaku.

Kurti, në një diskutim të sotëm në Paris, ka folur për idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, ide kjo e diskutuar vite më parë.

“Projekti i këmbimit të territoreve ka pasur homologë edhe në Kosovë nga një prej paraardhësve të mi sepse në atë kohë është parë si një rregullim i shpejtë midis liderëve autoritarë që flasin për popullin si për familjen e tyre, që flasin për territoret e shteteve të tyre sikur të ishin prova private”, tha mes tjerash Kurti në diskutimin në kuadër të Forumit të Paqes në Francë.

Exit mobile version