Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se ndjehet jashtëzakonisht e nderuar për mirënjohjen që sot ka marrë nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës për kontributin e dhënë gjatë kohës së luftës së fundit në Kosovë për fushën e gazetarisë.
Ajo, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka theksuar se në kohë të luftës ishte shume e re dhe i ka përkthyer për gazetarët e huaj gjatë luftës.
“Jashtëzakonisht e nderuar nga kjo mirënjohje nga ana e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës. Ne, që jemi rritë në luftë, e kemi ndjerë si thirrje që t’i shërbejmë atdheut në çfarëdo forme. Unë kam qenë shumë e re kur i kam shoqëruar e kam përkthyer për gazetarët e huaj gjatë luftës. Si e re, kam parë dhimbje, varre, dhunime e plagë”.
“E kam parë me sytë e mi çmimin e lirisë. Por, ne që punonim me mediumet ndërkombëtare së paku e kishim një mbrojtje. Qe besa edhe një pagë. Punën shumë më të rëndë e kanë pasur gazetarët nga Kosova, që raportonin për mediat shqiptare. Jam prekë e jam ndjerë e nderuar fort sonte”, ka thënë Çitaku.