Kistet e gjirit janë qese të mbushura me likuid, të cilat në përgjithësi kanë natyrë beninje. Mund të ndodh të keni një ose më shumë kiste, në njërin ose të dy gjinjtë.
Shpesh përshkruhen si të rrumbullakëta ose ovale më konture të rregullta. Në prekje, kistet e gjirit ngjasojnë më një kokërr rrushi ose qese të mbushura me ujë, por ndonjëherë mund të ndihen edhe me konsistencë të fortë.
Kistet e gjirit janë më të zakonshme te femrat midis moshës 30 dhe 50 vjeç, por mund të ndodhin edhe gjatë adoleshencës dhe pas menopauzës kur përdoren terapi zëvendësuese hormonale. Ndryshimet në nivelet normale të hormoneve (si një tepricë e estrogjenit) dhe ndryshimet në indin e gjirit (krijimi i gjëndrave, fibrozave dhe dhjamosja) me moshën mund të luajnë një rol në zhvillimin e kisteve.
Mundësia e formimit të tyre zvogëlohet ndjeshëm pas menopauzës. Nuk kërkojnë trajtim, përveç rasteve kur simptomat dhe madhësia e tyre i krijojnë parehati pacientit. Atëherë është e nevojshme heqja e likideve që ndodhen në brendësi të formacioneve me anë të gjilpërave (një procedurë diagnostike dhe terapeutike në të njëjtën kohë); ose mund të kryhet heqja me kirurgji.
Simptomat:
Kistet e gjirit mund të shfaqen në një ose të dy gjinjtë. Shenjat dhe simptomat e kisteve të gjirit përfshijnë:
– Formacion i njëtrajtshëm, i rrumbullaket dhe i lëvizshëm, me kufij të
rregullt.
– Sekrecion nga gjiri, me ngjyrë transparante, të verdhë ose kafe e errët.
– Dhimbje gjiri në zonën ku ndodhet kisti.
– Rritje të përmasave të kistit dhe mbi ndjeshmëri disa ditë para periodave.
– Ulje të përmasave të kistit dhe dhimbjes pas periodave.
Nëse keni kiste të gjirit, nuk do të thotë se keni risk më të lartë për kancer gjiri. Por kistet e gjirit e vështirësojnë identifikimin e formacioneve të tjera, të cilat mund të kenë nevojë për vlerësim të mëtejshëm.
Kur duhet të konsultoheni me një mjek?
Indi normal i gjirit, shpesh ndihet në prekje si gjëndëror dhe nodular, por nëse vini re diçka të ndryshme nga gjendja normale e gjirit tuaj, e cila nuk ndryshon në varësi të periodave, ose një formacion të mëparshëm, i cili është zmadhuar në përmasa, kërkoni një konsultë me mjekun.
Spitali Amerikan, përqafoje jetën!