Pak minuta pasi e kaloi rrethin e parë të turneut Roland-Garros, ku e mposhti amerikanin Aleksandar Kovacevic, Novak Djokovic e shfaqi një qëndrim për situatën politike në Kosovë, e cila sipas tij duhet t’i takojë Serbisë.
Me mesazhin e tij provokues, të shkruar në kamerën që po e xhironte lojën, tenisti serb doli kundër statutit etik të Federatës Franceze të Tenisit dhe me këtë rast mund të sanksionohet për këtë veprim.
Ky është një pozicion që dukshëm nxit më shumë lajme dhe vëmendje sesa fitorja e tij e djeshme.
Para se të shkonte në dhomat e zhveshjes, serbi e nënshkroi si tradicionalisht kamerën e pranishme në dalje të fushës.
Aty, tenisti nacionalist serb e shkroi një mesazh politik.
“Kosova është zemra e Serbisë. Ndalojeni dhunën”, ka shkruar ai, njofton mediumi francez “Ouest-France”, përcjell “Gazeta Express”.
Krejt kjo erdhi pas tensioneve të shtuara mes dy vendeve pasi protestuesit serbë u grumbulluan në Veri të Kosovës, me ç’rast dje patën përplasje fizike me Policinë e Kosovës dhe me pjesëtarët e KFOR-it.
Për këtë veprim, tenisti i tretë në botë pas Carlos Alcaraz dhe Daniil Medvedev, është ekspozuar ndaj sanksioneve.
Karta etike e Federatës Franceze të Tenisit, përgjegjëse për organizimin e Grand Slamit të Parisit, shpjegon se “të gjithë tenistët duhet ta konsiderojnë si detyrë morale refuzimin e çdo forme dhune dhe mashtrimi”.
Dhe, tutje sqaron disa rreshta si, “ndalohen opinionet fetare apo politike”.
Dhe, gjesti i Djokovicit shkon përtej dhe kundër kësaj dispozite.
Por, cili mund të jetë vendimi për tenistin serb? Për momentin është e vështirë të përcaktohet.
Por, sipas mediumit francez, Djokovic nuk rrezikon të përjashtohet nga Roland Garros, por mund të “shpëtojë” me një gjobë të thjeshtë për këtë veprim politik dhe nacionalist, shkruan “Gazeta Express”.
I pyetur në konferencë për mediat pas meçit, serbi ishte i qartë për gjestin e tij: “Si bir i një njeriu të lindur në Kosovë, ndiej një përgjegjësi shtesë për ta dhënë mbështetjen time për popullin tonë dhe për mbarë Serbinë”, u shpreh Djokovic, i cili gjithmonë ka shfaqur mesazhe politike dhe nacionaliste, duke insistuar se “ne jemi të gatshëm ta mbrojmë atë që na takon.”
Komiteti Olimpik i Kosovë dhe Federata e Tenisit të Kosovës kanë reaguar ndaj veprimit të fundit skandaloz të Djokovicit, ndërsa pritet të ankohen edhe në instancat më të larta të tenisit dhe të sportit në përgjithësi.