Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi ka propozuar që institucionit që ai udhëheq t’i ndryshohet emri. Sipas tij “Hasan Prishtina” duhet t’i hiqet nga emërtimi, për shkak të ngatërrimit të emrit në arenën ndërkombëtare me universitetin në gjuhën serbe në Mitrovicën e Veriut. Se si bëhet ndërrimi i emrit të UP-së, ka folur ish-zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci.
Ndërrimi i emrit të UP-së është një propozim që e ka dhënë rektori i këtij universiteti, Qerim Qerimi. Sipas tij, arsyeja e ndërrimit është për shkak të ngatërrimit të emrit në arenën ndërkombëtare.
“Po e shqyrtojmë rikthimin e emrit origjinal që ka pasur përpara ndryshimit të fundit të statutit, pra Universiteti i Prishtinës. Është edhe një universitet në Mitrovicë, në gjuhën serbe, që po ashtu e pretendon emrin Universiteti i Prishtinës dhe kjo ka krijuar konfuzion”, kishte thënë rektori për media.
Ish- zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, në një bisedë me Gazetën Express, ka treguar se cilat janë hapat që duhet të ndiqen për të ndërruar emrin e një institucioni publik siç është Universiteti i Prishtinës.
“Duhet të ndërrohet me statuti i UP-së, sepse me statut duhet të ndërrohet emri i universitetit. Statuti ndërrohet nga senati i UP-së. Pas kësaj, të njëjtin duhet ta miratojë Ministria dhe duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës. Pra këta janë tre hapat që duhet të ndiqen”, tha Pupovci.
Ai tha se nuk është “në rregull” që të ndërrohen shpesh emrat e institucioneve, derisa shtoi se UP-ja ka probleme më të rëndësishme sesa me u marr me emra.
“Unë mendoj që nuk është në rregull emërtimet e institucionet të ndërrohen kaq shpesh. Nëse është bërë ndryshimi i emrit në vitin 2010, atëherë është periudhë e shkurtë për ta rishikuar një vendim të tillë madhor. Dhe mendoj që ka probleme ma të rëndësishme UP-ja dhe shoqëria në përgjithësi sesa me u marr me emra”, deklaroi.
Kur u pyet se a do të gjejë përkrahje propozimi i rektorit Qerimi, Pupovci tha se fillimisht Universiteti duhet ta ketë një dialog të brendshëm.
“Nuk e di, varet se si do të jetë disponimi në Kuvend, nuk mund të them për atë. Por fillimisht mendoj që vetë universiteti duhet ta ketë një dialog të brendshëm për këtë punë, me pa a duhet me shku kjo më tutje ose jo. Unë mendoj që ish dasht me u fokusu në çështje tjera, por tash ta shohim edhe se çfarë qëndrimi do të kenë mësimdhënësit e UP-së”
Kundërshtimet për propozimin e rektor Qerimit
Për këtë propozim pati shumë reagime, madje për ta kundërshtuar, në fillim të muajit maj është zhvilluar një aksion simbolik para rektoratit. Ky aksion u organizua nga fondacioni “Hasan Prishtina” në bashkëpunim me disa shoqata tjera.
Në këtë aksion kishte marrë pjesë edhe profesori Bujar Dugolli. Ai tha se figura e Hasan Prishtinës është një figurë e ndritur që nuk ka mundur ta kontestojë askush.
“Nuk mund të largohen emrat e patriotëve e intelektualëve, që tërë jetën e kanë shkrirë për atdheun”, tha ai.
Për nismën e rektorit Qerimi, kishte reaguar edhe politologu Bardhyl Mahmuti. Ai ka thënë se përpjekja për ndërrimin e emrit është absurdi më i madh.
“Përpjekjet që nëpërmjet ndryshimeve të statutit të Universitetit të Prishtinës t’i hiqet “Hasan Prishtina” nga emërtimi i tij me arsyetim se gjoja krijon pasaktësi për shkak se një universitet i krijuar nga strukturat kriminale të instaluara në qytetin e Mitrovicës nga Sllobodan Millosheviqi mban emrin “Universiteti i Prishtinës” është absurdi më i madh që ka prodhuar ndonjëherë udhëheqja e institucionit më të lartë arsimorë në Kosovë”, ka shkruar Mahmuti, duke shtuar se duhet të delegjitimohet universiteti ilegal në Veri.
Ndërkaq nipi i Hasan Prishtinës, Mehmeti njëherit drejtor i Fondacionit “Hasan Prishtina”, ka thënë se kanë ardhur për ta kundërshtuar heqjen e emërtimit të Hasan Prishtina nga Universiteti i Prishtinës.
Ai ka deklaruar se nisma e rektorit Qerimi duhet të përfundojë me largimin e tij.
Mijëra nënshkrime në peticionin kundër ndryshimit të emrit
Kundër këtij propozimi ka dalë edhe një organizatë studentore. Kryetari i “Unionit Demokratik”, Arbër Gecaj, javën e kaluar i tha Expressit se deri tani janë mbledhur 4 mijë nënshkrime nga studentët në katër fakultete të UP-së.
Gecaj tha se nuk përjashtojnë mundësinë e protestave dhe bojkotit “nëse tentohet të jetësohet” propozimi i rektorit Qerimi.
“Ne patjetër që jemi kundër largimit të emrit të Hasan Prishtinës nga Universiteti i Prishtinës. Fillimisht është fyerje që emri i një figure të tillë që ka kontribuar shumë edhe për arsimin shqip, të shihet si pengesë për universitetin. Gjithashtu arsyetimet se kinse po kemi probleme në arenën ndërkombëtare për shkak të emrit janë të pavërteta dhe qëllimkeqe. Ne kemi dërguar shkresë zyrtare në adresë të rektorit të UP-së për ta kundërshtuar këtë veprim, gjithashtu javën që lamë pas kemi realizuar një aksion simbolik para rektoratit. Këtë javë kemi filluar me peticion në disa fakultetet e UP-së. Gjithashtu javën tjetër vazhdojmë edhe në disa fakultete tjera. Deri tani në vetëm 4 fakultete kanë nënshkruar afër 4 mijë studentë, si kundërshtim i largimit të emrit të Hasan Prishtinës nga Universiteti i Prishtinës. Ne do ta dorëzojmë në fund në rektoratin e UP-së, por nuk përjashtojmë mundësinë e protestave dhe bojkotit në rast se tentohet të jetësohet ky propozim”, tha Gecaj për Express.