Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste të grave që përjetojnë dhunë në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.
Në Polici kanë përfunduar dje edhe një çift në Prishtinë, pasi burri dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj gruas me të cilën bashkëjeton.
Burimet e Gazetë Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 30-vjeçarja ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi pas një konflikti verbal me të shoqin, ai ka eskaluar në sulm fizik ndaj saj, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim nga organet e hetuesisë.
Me urdhër të prokurorit, 46-vjeçari është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.