Site icon PrishtinaPress

Chollet vjen në Kosovë, temë dialogu Kosovë-Serbi me njohje të ndërsjellë

Këshilltari në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, do të udhëtojë në Kosovë, Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Kroaci dhe Belgjikë, së bashku me një delegacion ndërinstitucional nga data 11 dhjetor deri më 17 dhjetor, ka njoftuar Zyra për Media e Departamentit Amerikan të Shtetit.

“Kjo vizitë do të nënvizojë përkushtimin e qëndrueshëm të SHBA-së për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit”, shkruan në njoftim.

Kështu, më 12-13 dhjetor, këshilltari Chollet do të mbërrijë në Kosovë,ku do të takohet me zyrtarë qeveritarë dhe liderë të tjerë politikë, për të diskutuar bashkëpunimin e vazhdueshëm për një sërë çështjesh, duke përfshirë përpjekjet e SHBA-së për të avancuar integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike.

Në këtë rast, përfshihet tema e dialogut të lehtësuar nga BE-ja, për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër të marrëveshjes, raporton RTKlive.

“Më 13 dhjetor, këshilltari Chollet do të vazhdojë në Serbi, ku do të diskutojë për sigurinë energjetike, integrimin ekonomik rajonal dhe përparimin drejt objektivit të Serbisë për anëtarësim në BE me udhëheqjen e qeverisë serbe”, shkruan në njoftim.“Ai do të diskutojë gjithashtu rolin e Serbisë në forcimin e paqes dhe sigurisë rajonale dhe angazhimin e saj të vazhdueshëm me dialogun e lehtësuar nga BE-ja, për të arritur normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Kosovën”.

Exit mobile version