Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka zhvilluar biseda të ndara telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pak orë para takimit të dy liderëve në Ohër.
Cholleti u ka thënë atyre se zbatimi i Planit evropian për normalizimin e raporteve mes dy vendeve, do të sjellë përfitime për të dyja shtetet.
“Bisedova me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, lidhur me bisedimet e 18 marsit lidhur me normalizimin e raporteve me Serbinë përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Zbatimi [i propozimit evropian] do të ofrojë përfitime domethënëse për të dyja vendet dhe do të tregojë përkushtim për një të ardhme paqësore në rajon”, ka shkruar në Twitter këshilltari i lartë amerikan, pas bisedës me Kurtin.
Ndërsa, me Vuçiqin Cholleti ka njoftuar se ka zhvilluar bisedë të mirë lidhur me “rëndësinë e angazhimit konstruktiv” në propozimin e BE-së, i cili sipas tij, është i konsoliduar.
“Bisedë e mirë me presidentin Vuçiq. U pajtuan në rëndësinë e angazhimit konstruktiv në propozimin e konsoliduar të BE-së më 18 mars. Riafirmova mbështetjen e SHBA-së për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe përfitimet që normalizimi i raporteve do t’i sillte Serbisë dhe gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar më tej ai.
Ndryshe, për bisedën me Cholletin ka njoftuar edhe kryeministri Kurti përmes një postimi në Twitter, Ai ka theksuar se Kosova është e përkushtuar që takimi në Ohër të përfundojë me sukses.
“Diskutuam rëndësinë e kësaj fundjave për Kosovën, rajonin, integrimin euroatlantik dhe sigurinë. Theksova se jemi të përkushtuar që e nesërmja të jetë e suksesshme”, ka shkruar Kurti.
Kosova dhe Serbia e kanë pranuar propozimin evropian më 27 shkurt dhe të shtunën, më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, do të diskutojnë për planin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.