Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet ka njoftuar se sot ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Chollet ka thënë se në takimin e 2 majit të Vuçiqit me kryeministrin Albin Kurti, pret konstruktivitet.
Sipas Chollet, në këtë bisedë është diskutuar për Dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe nevojën, siç ka shkruar ai, urgjente, për ta themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Bisedë përmbajtësore, pozitive me presidentin Vuçiq sot. U dakorduam për fuqizimin e partneritetit SHBA-Serbi dhe ndamë pikëpamjet mbi progresin në Dialog, veçanërisht nevojën urgjente për themelimin e ASK-së”, ka shkruar Chollet.
“Presim takim konstruktiv më 2 maj në Bruksel”, ka shkruar ai.