Chelsea ka shënuar edhe fitoren e pestë me radhë në Ligën e Konferencës, duke triumfuar 3:1 ndaj Astanës, ndonëse luajti me shumë nga lojtarët e rinj.
Enzo Maresca vendosi të udhëtonte te Astana me lojtarë të rinj dhe vetëm disa nga ekipi i parë, me arsyen kryesore që ishte rruga e gjatë për të udhëtuar.
Skuadra londineze e dominoi tërësisht takimin, duke pasur posedimin e topit mbi 70% të kohës, e krijoi shumë raste për gol.
Goli i parë erdhi shumë herët. Marc Guiu realizoi për 1:0 në minutën e 14-të, i asistuar nga Pedro Neto.
Sulmuesi 18-vjeçar spanjoll e shënoi edhe golin e dytë personal, kur e dyfishoi rezultatin në minutën e 19-të.
Dewsbury-Hall asistoi te Renato Veiga, i cili realizoi për 3:0 në minutën e 40-të.
Astana e ngushtoi rezultatin në 3:1 në minutën e fundit të pjesës së parë, me golin e Tomasov.
Chelsea e vazhdoi dominimin edhe në pjesën e dytë, por në rezultat nuk ndryshoi asgjë dhe në fund triumfuan 3:1 ndaj Astanës.
Gjiganti anglez kështu vazhdon me rekord 100% të fitoreve në Ligë të Konferencës, pasi ka grumbulluar 15 pikë në pesë paraqitje, e ndjekur nga Legia e Varshavës, e cila është e vetmja skuadër që ka rekord të njëjtë në këtë garë, por me një ndeshje më pak momentalisht.