Gazetari Baton Haxhiu, në një shkrim të gjatë, të publikuar në Express, është marrë me raportet e Liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit me Veton Surroin. Ai ka thënë se për Kurtin dhe Vetëvendosjen, Surroi dikur ishte agjent i Serbisë, pjesë e bandës së vrasjes dhe plaçkitjes së Kosovës dhe profiter i fondeve ndërkombëtare.
Haxhiu ka shkruar se Kurti i ka disa arsye pse tash është i afërt me Surroin.
E para, sipas tij, është se Kurti po e përdor politikisht ish-politikanin e dështuar të ORA’s. E dyta, e ka instrumentalizuar Surroin për qëllime partiake e politike.
“Mbi këtë premisë, ose Kurti duhet të besojë se Surroi nuk ka qenë asnjëherë i korruptuar dhe për pasojë ka ndryshuar mendje, ose Kurti nuk beson ende në Surroin ngaqë ai nuk mund të ndryshojë mendje por e përdor atë vetëm politikisht, ose Kurti beson se Surroi ka ndryshuar mendje, ndonëse ka qenë i korruptuar. Në skenarin e parë, Kurti duhet të marr përgjegjësinë e tij për akuza të pabaza financiare dhe historike dhe të kërkojë falje. Këtë nuk e ka bërë. Në skenarin e dytë, Kurti është keqpërdorues momental pragmatik në raport me dëshminë e Surroit apo me Surroin në përgjithësi ka një raport instrumental. Në skenarin e tretë, Kurti ka përdorur një referencë të jokredibile në raport me mua. Megjithatë, këtu ekziston edhe një faktor tjetër – ndër vite ka ndryshuar vetë Kurti”, shkruan Haxhiu, në pjesën e parë të tekstit autorial, që merret me Albin Kurtin dhe thyerjet në Vetëvendosje.
Veton Surroi dhe Baton Haxhiu dikur ishin kolegë dhe themelues të gazetës “Koha Ditore”. Mirëpo, ishin prishur kur një grup i gazetarëve i kishin kërkuar pronarit të “Kohës” që të ndanin aksionet, pasi gazetën e kishin themeluar bashkërisht. Surroi nuk u kishte dhënë aksione në kompani dhe me një pjesë të tyre i kishte prishur raportet.
Surroi në tetor të 2016’ës e kishte quajtur Haxhiun imbecil, kur i kishte reaguar pse drejtori i Klan Kosovës e kishte përmendur në një emision televiziv. Termi “imbecil” përdoret ndaj personave që kanë zhvillim të ulët të inteligjencës. Pra, janë të dobët në inteligjencë dhe janë të afërt me idiotët.
Ndryshe, Surroi ishte marrë edhe një herë tjetër me Baton Haxhiun, kur kishte shkruar për librin “Lufta ndryshe”. Aty Surroi kishte thënë se ndaj Baton Haxhiut ende e “ndien barrën e bashkëpërgjegjësisë; mosarritjen e të ndihmuarit për formësimin e një gazetari artikullshkrues, pas kaq shumë vjetësh bashkëpunimi me të”.
As në këtë shkrim, Haxhiu nuk ka folur për asnjërin libër të Surroin, ku në njërin prej tyre është personazh.
Por, është mare me vlerësimet e Albin Kurtit për letërsinë e Surroit. Ka thënë se Kurti e ka vlerësuar si të varfër letërsinë e ish-themeluesit të partisë së shuar ORA.
“Këtu nuk është çështja të komentoj rreth Surroit – letërsia e tij e reduktuar në përvoja personale (vetë Albin Kurti dikur publikisht e përbuzte imagjinatën e varfër të Surroit), vazhdon të jetë tendencë për konstruktim retroaktiv të raporteve të tij në shoqërinë e dikurshme dhe në proceset historike”, ka shkruar më tej Haxhiu.
Po ashtu, Haxhiu kujton kohën kur Albin Kurti përmes një komunikate shkruante për takimin e Surroit me Sllobodan Millosheviqin, që kishte ndodhur në kohën e luftës.
“Për më tepër, në komunikatë shkruan se takimi i 15 majit 1998 i Veton Surroit (me pesë të tjerë) me Sllobodan Millosheviqin u bë dritë e gjelbër për intensifikim të ofensivave ushtarake kundër UÇK-së dhe popullit të Kosovës…”, shkruan më tej Haxhiu.
Sipas Haxhiut, Albin Kurti dikur kishte sulmuar Grupin Koha për shkak se i shërbenin regjimit pjesë e të cilit ishte Veton Surroi.
“Madje, nga periudha e demonstratave të 28 nëntorit 2006 dhe nga 10 shkurti 2007 e tutje, në konferenca për shtyp dhe prononcime mediatike Kurti sulmonte gazetarët e Grupit Koha si instrumente të regjimit me plane për ndarje të brendshme të Kosovës dhe tjetërsim të historisë. Në gazetën zyrtare të Lëvizjes Vetëvendosje, njëri prej apologjetëve të sotëm të Kurtit kundërpozicionon “Nëntorin e Popullit” shqiptar me “Frymën e Surronjëve” panjugosllavë. Në të njëjtën komunikatë, Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se Surroi është pasuruar në shkallë milionëshe në dëm të popullit të Kosovës nëpërmes donacioneve të huaja”.