0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

Çfarë thonë qytetarët për shtrenjtimin e ri të rrymës

“Me 200 euro në muaj sa i marr pension, si ta paguaj rrymën”, pyetet Rrahman Gjinovci nga Prishtina.

Faturën e fundit të rrymës, ai thotë se e ka paguar 60 euro.

Me shtrenjtimin e paralajmëruar për rreth 15 për qind, ajo mund t’i rritet për afro 10 euro.

“Rritja e tarifave të energjisë elektrike do të na varfërojë edhe më shumë”, thotë Gjinovci, i cili jeton me familjen e tij 5-anëtarëshe.

Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) njoftoi të enjten se tarifat e energjisë elektrike do të rriten për rreth 15 për qind dhe se ato do të aplikohen nga 1 prilli deri më 31 mars të vitit të ardhshëm.

ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e tarifave çdo vit.

“Saktësisht se sa do të jetë rritja e tarifave të energjisë elektrike do të kuptohet në mbledhjen e radhës të Bordit të ZRRE-së, që do të mbahet brenda muajit mars”, tha kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Zejnullahu, pas mbledhjes që u mbajt të enjten.

ZRRE-ja ka paralajmëruar qysh më herët se është duke shqyrtuar një kërkesë të Kompanisë Kosovare për Distribuimin e Energjisë Elektrike – KEDS, për shtrenjtimin e rrymës.

KEDS-i e ka justifikuar kërkesën e tij me rritjen e çmimit të rrymës së importuar, si dhe me pamundësinë e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për të prodhuar rrymë të nevojshme, sidomos gjatë sezonit të dimrit.

Duke iu drejtuar gazetarëve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Qeveria e tij do të bëjë të pamundurën që ta bëjë çmimin e energjisë elektrike “sa më të përballueshëm për qytetarët”.

“Ne nuk iu ndërhyjmë institucioneve të pavarura shtetërore, siç është ZRRE-ja, por do të bëjmë krejt çfarë mundemi që t’ia lehtësojmë qytetarit barrën”, tha Kurti, pa specifikuar më shumë.

Nga shtatori i vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës i ka subvencionuar të gjithë qytetarët që shpenzojnë më pak energji elektrike në muaj, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak.

Secili konsumator që kursen së paku 5% të faturës, përfiton subvencion sa dyfishi i përqindjes së kursyer.

Ky subvencionim i Qeverisë është ende në fuqi.

Në Kosovë, qytetarët, si gjetiu në botë, po përballen me nivel të lartë të inflacionit.

Viti i kaluar është përmbyllur me normë mesatare të inflacionit gati 12 për qind.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni në shkurt ka qenë 10.5 për qind.

“Shtrenjtë është. Nuk mund ta përballosh ngritjen e çmimit të rrymës se të ardhurat i kemi të ulëta”, thotë Latif Gashi nga Prishtina.

Çmimi i energjisë në bursë ka rënë
Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavate rrymë në orë, ndërsa nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavate në orë. Këtë diferencë, ajo e importon nga jashtë.

Çmimi i rrymës në bursën hungareze HUPX, nga ku importon Kosova, ka lëvizur vazhdimisht. Në gusht të vitit 2021, çmimi ka qenë 150 euro për megavat. Në gusht të vitit 2022 ka arritur në rreth 430 euro për megavat, por më vonë është stabilizuar në rreth 260 euro për disa muaj rresht.

Të enjten, më 23 mars, çmimi ka qenë 105 euro për megavat.

Gjukaj: Keqmenaxhimi i sektorit të energjisë rrit tarifat
Ish-drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Arben Gjukaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se ngritja e tarifave të energjisë elektrike në kohën kur çmimet e energjisë në bursën ndërkombëtare kanë rënë dhe kanë tendenca të vazhdojnë të bien, është e paarsyeshme.

“Rritja për 15 për qind e energjisë elektrike që po u bëhet qytetarëve të Kosovës është pasojë e neglizhencës dhe mosgatishmërisë për t’u ballafaquar seriozisht me sektorin e energjisë në vend. Gjithashtu, kjo rritje i atribuohet edhe keqmenaxhimit të krizës energjetike, kohëve të fundit, dhe abuzimeve në këtë sektor… joprofesionalizimit për t’u ballafaquar me këto sfida”, thotë Gjukaj, duke mos saktësuar se për çka ose për kë e ka fjalën.

Me tarifat aktuale të rrymës, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë në orë brenda një muaji, paguajnë 12.5 centë për kilovat gjatë tarifave të shtrenjta, ndërsa 5.9 centë gjatë tarifave të ulëta.

Ata që nuk konsumojnë më shumë se 800 kilovatë, paguajnë 7 centë për kilovat gjatë tarifave të shtrenjta dhe 3 centë gjatë tarifave të lira.

Kosova është e varur kryesisht nga termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B” që prodhojnë rreth 500 megavate energji elektrike në orë.

Për shkak të vjetërsisë së tyre me dekada, ato shpesh pësojnë prishje.

Në vitin 2005, Qeveria e atëhershme e Kosovës ka pasur një projekt për ndërtimin e një termocentrali të ri, por ai nuk është realizuar kurrë.

Sipas ekspertëve, ndryshimet e herëpashershme në projekt, të bëra nga qeveritë e njëpasnjëshme, i kanë larguar investitorët.

Për Qeverinë e tashme, projekti “Kosova e Re” është “i vdekur”, sepse nuk duhet investuar më në termocentrale me thëngjill.

Këtë muaj, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Strategjinë e Energjisë për vitet 2022-2031, e cila parasheh rritjen e kapaciteteve për prodhim të energjisë së ripërtërishme

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img