Site icon PrishtinaPress

Çfarë tha Vuçiq kur u pyet rreth deklaratës së Edi Ramës se ‘Ballkani i Hapur’ e kreu misionin e tij

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Ballkani i Hapur është “një ide autoktone e popujve të Ballkanit” dhe se nuk beson që kryeministri shqiptar Edi Rama mund të ketë thënë se kjo iniciativë e ka përfunduar misionin dhe se është koha për tu përfshirë në procesin e Berlinit.

Këtë gjë, sipas mediave serbe, Vuçiq e ka thënë kur është pyetur për të komentuar deklaratën e Ramës për Ballkanin e Hapur, në të cilën ai ka thënë se kjo iniciativë e ka përfunduar misionin dhe se ka ardhur koha që të “zhytemi” në procesin e Berlinit, përcjell Telegrafi.

“Nuk jam i sigurt se është pikërisht ajo që tha ai, por shpresoj se do të mund ta shoh së shpejti. Ballkani i hapur është një ide autoktone e popujve të Ballkanit, serb, shqiptar, maqedonas, por është mbështetur edhe nga një pjesë e konsiderueshme e boshnjakëve dhe njerëzve në Mal të Zi që nuk janë serbë”, citohet të ketë thënë Vuçiq.

Ai tha se e njihte mirë Ramën dhe se ishte thuajse e pamundur që ai të kishte thënë një gjë të tillë.

“Unë gjithmonë do të mendoj se ideja jonë, dhe jo e imponuar nga jashtë, do të jetë më e mirë, pavarësisht nga përmbajtja e dëshirave tona. Kjo është shprehje e dëshirave, pritjeve dhe marrëdhënieve tona, jo diçka me presion”, përfundoi Vuçiq.

Ndryshe, kryeministri i Shqipërisë, para dy dite kishte thënë se “Ballkani i Hapur” ka kryer misionin e ka kryer misionin, gjersa sipas tij tash duhet shtyrë përpara Procesin e Berlinit.

“… natyrisht që Procesi i Berlinit është aksi ynë kryesor. ‘Ballkani i Hapur’ ishte një iniciativë që lindi nga nevoja për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit dhe e ka kryer atë mision për të cilin lindi. Ne duhet të futemi me kokë tani në Procesin e Berlinit sepse e kemi këtë mundësi, e kemi Procesin e Berlinit në Tiranë…”, ka thënë ndër tjerash Rama.

Ndryshe, nisma Ballkani i Hapur ishte vazhdimësi e Mini-Shengenit ballkanik, prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Exit mobile version