Site icon PrishtinaPress

Çfarë po ndodhë me ligjin për qeset e plastikës? Flet Çavdarbasha

Ligji që parasheh pagesën e qeseve plastike është pritur të hyjë në fuqi në janar të këtij viti, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Këtë e ka bërë të ditur për IndeksOnline zëvendësministrja në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Linda Çavdarbasha.

Çavdarbasha ka thënë se, për arsye të një ndryshimi në Udhëzimin Administrativ, janë detyruar që ligji për qeset plastike mos të fillojë implementimin, ani pse ky ligj nuk ka ndryshuar.

“Ky ka qenë Udhëzim Administrativ për ambalazh dhe mbeturinë të ambalazhit, ashtu siç kemi premtuar ka përfunduar në fund të dhjetorit e gjithë procedura, mirëpo pastaj, e kemi parë të arsyeshme që për shkak të sistemit të rimburësimit të depozitave që e kemi pasë si pjesë të mangët në kuadër të Udhëzimit Administrativ, ta shikojmë edhe më mirë edhe të bëjmë disa ndryshime. Për arsye se edhe qeset e plastikës dhe sistemi i rimburësimit të depozitave janë në të njëjtin Udhëzim Administrativ, jemi detyruar që ta shtyejmë aprovimin e këtij Udhëzimi. E mira është që tashmë e kemi edhe draft-ndryshimin edhe besoj që shumë shpejt do të dal në diskutim publik edhe pas diskutimit miratohet”, ka thënë Çavdarbasha për IndeksOnline.

Zëvendësministrja Çavdarbasha bëri të ditur se ndryshimi i ndodhur në Udhëzimin Administrativ ka të bëjë me importuesit dhe prodhuesit e shisheve të xhamit, plastikës apo edhe i kanaçeve.

Ajo gjithashtu ka kërkuar nga ata që të vijnë në Ministri me propozim se si do të dëshirojnë të menagjojnë këtë organizim.

“Qëllimi i ndryshimit ka qenë sa i përket aspektit të importuesve, prodhuesve dhe shitësve me pakicë, të cilët duhet të organizohen në atë formë që të vijnë në Ministri dhe t’i paraqesin me propozimin e tyre se si do ta menagjojnë gjithë këtë organizatë për organizimin e shisheve të xhamit, plastikës dhe të kanaçeve, për shkak të këtij ndryshimi që e kemi bërë jemi detyruar edhe qeset plastike mos të fillojnë të bëhen me pagesë, ashtu siç kemi premtuar.”

Sipas zëvendësministres, në momentin që të aprovohet draft-ndryshimi do të vlejë ligji për qeset plastike.

Ajo bëri të ditur se qëllimi kryesor i Udhëzimit Administrativ sa i përket qeseve plastike është që të hiqen nga përdorimi qeset më peshë shumë të lehtë, ndërkaq për qeset që kanë trashësi prej 25-50m krom të jetë një pagesë minimale prej 5 centëve. Sipas saj, çmimi varet prej prodhuesve, shitësve si dhe trashësisë se qeseve.

“Prej këtij 5 centi, diku 2 cent do të kalojnë në buxhetin e Republikës së Kosovës, të cilat pastaj do të përdorën me skema të ndryshme edhe me thirrje të ndryshme për ngritje të vetëdijes, për t’i ndihmuar këto biznese që të kalojnë gradualisht në teknologji të tjera, jo vetëm në prodhimin e qeseve plastike. Qëllimi ynë është që në fillim të fillojmë më tranzicion në reduktim të qeseve plastike ë më vonë të kemi ndalim total të qeseve plastike”, vijoi ajo.

Ndryshe, nga data 1 qershor 2022, Shqipëria ka ndaluar përdorimin e qeseve plastike njëpërdorimshme.

Intervistën e plotë e gjeni më poshtë:

Exit mobile version