-2.7 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Çfarë po ndodh me qeverinë Rama?! ‘Lamtumira’ për Tahirin…dhe një VIDEO e papublikuar më parë

Nuk ka ende asgjë zyrtare. Flitet vetëm me burime konfidenciale për gazetarët. “Saimir Tahiri nuk është më në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, institucion që ai drejtoi prej vitit 2013 kur qeveria e majtë erdhi në pushtet. Ajo që dihet, është që nuk kemi të bëjmë me një dorëheqje.

Për saktësim, as më ka kërkuar kush e as kam dhënë dorëheqje deri tani”. Kështu shkruajti në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Tahiri pasi lajmi për dorëheqjen e tij ishte përhapur në të gjitha mediat.

Në fakt, ai mohoi dorëheqjen, por shkrimi i tij qartazi shfaqet si një lamtumirë, kur thotë: “Sidoqoftë, më të fortë do jemi, sot e gjithmonë, bashkë”.

Kështu, siç Express mëson po përmes burimeve konfidenciale, nuk bëhet fjalë për një dorëheqje, por një vendim të kryeministrit Edi Rama për ta shkarkuar ministrin Tahiri nga ky post. Kujtojmë se Saimir Tahiri është njëherazi kryetar i Partisë Socialiste të Tiranës, ndaj me shumë mundësi reagimi i tij i shkurtër në Facebook i referohet punës në vazhdim me mbështetësit e tij socialistë drejt fushatës elektorale të zgjedhjeve të 18 qershorit të këtij viti. Vetë kreu i qeverisë Rama në takimet me udhëheqësit e fushatës në çdo qark, ka kërkuar më shumë mobilizim të tyre, e ndaj edhe më herët ka paralajmëruar se kjo mund të çojë në lirimin nga detyra të disa ministrave që janë edhe drejtues politik në qarqe.

As lideri demokrat Lulzim Basha nuk e ‘besoi’ lajmin e shkarkimit të ministrit Tahiri, i cili theksoi edhe njëherë se nuk do “truke politike” siç ai i quajti, por largimin e vetë kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie teknike për të garantuar zgjedhje të lira.

“Cfarëdo thashethemesh e prapaskenash të kurdisin mesazhi është një dhe i pandryshuar, qëndresa jonë është e vendosur deri në krijimin e një qeverie teknike që do të bëjë detyrat para shqiptarëve dhe Evropës. Lajmi se ka shkarkuar Tahirin është në radhë të parë një truk për ti hedhur hi syve shqiptarëve, opinionit ndërkombëtar, protestuesve që janë këtu ditë e natë. Një përpjekje mjerane për ti shpëtuar përgjegjësisë që vetë Rama ka për gjendjen ku e ka sjellë vendin”, – tha kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha këtë pasdite nga çadra protestës e ngritur prej 3 javësh para kryeministrisë.

Ndërkohë, nga kryeministri Edi Rama nuk ka asnjë reagim. Këtë mesditë pati një takim mes tij dhe ministrit Tahiri në godinën e Këshillit të Ministrave, dhe ashtu siç raportojnë mediat përmes burimeve, pritet që vendimi përfundimtar për largimin e tij të merret të hënën. Dhe jo vetëm kaq! Priten të tjera ndryshime në qeveri. 

Në mesin e pikëpyetjeve për atë se çfarë po ndodh vërtetë, stafi i Ministrisë së Brendshme ka nisur t’i japë ‘lamtumirën’ shefin të tyre. Një video e pa publikuar më parë është postuar në rrjetet sociale prej tyre, ku shfaq punën e bërë për organizimin e aktivitetit më të bujshëm të ministrisë dhe Policisë, atë të surprizës për fëmijët e shtruar në spital, më 1 Qershor. Forcat e Policisë të veshur si personazhet më të dashur të fëmijëve, Spiderman, Batman…u shpërndanë atyre dhurata duke i surprizuar kur krejt papritur përfunduan në dritaret e dhomave ku ata ishin të shtruar në QSUT. Në video shfaqet ministri Tahiri teksa bashkë me drejtues të policisë organizojnë mënyrën se si efektivët do të zbresin nga tarraca nëpër muret e spitalit për të sjellë gëzim tek fëmijët që nuk kishin mundësi të festonin ditën e tyre njëjtë si bashkëmoshatarët. Por siç stafi i tij shkruan, kjo është vetëm një nga momentet e vështira sa dhe të bukura të punës që sipas tyre i dhanë policisë së Shtetit fytyrë të re.

“Pas çdo akuze, pas çdo sulmi, pas çdo “show” për të cilin ministria është akuzuar ka pasur shumë punë jashtë orarit, shume përkushtim e mbi të gjitha shumë pasion dhe dashuri. Jemi më krenare se kurrë për cka kemi mësuar nga Ministri i Punëve te Brendshme, përkushtimi, vizioni, pasioni dhe sakrifica e te cilit, na ka shënjuar përgjithmonë të gjithëve ne”, shkruan një prej punonjësve të Ministrisë së Brendshme e cila e ka shpërndarë këtë video me kolegët e saj.

http://www.dailymotion.com/video/x5ejk6v_lamtumira-per-saimir-tahirin_news

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img