Site icon PrishtinaPress

Çfarë përfiton Kosova nga marrëveshja për tregti të lirë me EFTA-n?

Kosova nënshkroi më 22 janar një marrëveshje me Shoqatën Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA), pas bisedimeve që zgjatën më shumë se dy vjet e gjysmë. Kush është pjesë e shoqatës, si do të përfitojnë prodhuesit kosovarë nga marrëveshja e tregtisë së lirë dhe cilat janë lehtësitë për ta? 

Nëse një prodhues vendës kosovar është detyruar të paguajë një tarifë shtesë doganore prej 10 për qind për t’i eksportuar mallrat e veta në një vend me mërgatë të madhe, si Zvicra, nga tani ai, lëre më që nuk do të paguajë çmim shtesë, por nuk do të paguajë fare tarifë doganore.

Këtë e ka mundësuar një marrëveshje e saponënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA), ku, përveç Zvicrës, bën pjesë edhe Islanda, Lihtenshtajni dhe Norvegjia.

Heqja e tarifave është një nga lehtësitë që do t’i gëzojnë kompanitë kosovare që eksportojnë apo duan të eksportojnë në vendet anëtare të EFTA-s, me të cilën Kosova e nënshkroi më 22 janar një Marrëveshje për Tregti të Lirë, më pak se tri vjet pasi i hapi bisedimet me këtë organizatë.

Marrëveshja ofron shumë mundësi, përfshirë ato për importimin dhe eksportimin e mallrave. Konsumatorët dhe kompanitë mund të gëzojnë çmime më të lira, ndërsa kompanitë vendëse mund t’i shesin produktet e tyre më me lehtësi në tregjet e huaja, shkruan REL.

Marrëveshja u mundëson kompanive në vendet kontraktuese qasje të ngjashme ose më të mirë sesa konkurrentët e tyre nga vendet e treta, sipas EFTA-s.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh i bindur pas nënshkrimit të marrëveshjes në Davos të Zvicrës se ajo “do të sjellë përfitime për bizneset, industritë dhe qytetarët e të gjitha vendeve [palë]”.

Marrëveshja mes Kosovës dhe EFTA-s mbulon fusha si tregtia e mallrave dhe shërbimeve, të drejtat e pronësisë intelektuale, lehtësimin tregtar, zhvillimin e qëndrueshëm tregtar, dhe provizionet ligjore e horizontale.

Rreth 115.000 kosovarë jetojnë në Zvicër, sipas të dhënave të fundit nga viti 2022 të Sekretariatit Shtetëror të Zvicrës për Imigrim. 

Agjencia e Statistikave e Kosovës ende s’i ka publikuar të dhënat e regjistrimit të popullsisë të vitit 2024 për kosovarët që jetojnë në Zvicër.

Exit mobile version