Të premten, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) pritet të mbajë mbledhje, ku pritet të marrë vendimin për shtrenjtimin e tretë me radhë të energjisë elektrike, raporton Gazeta Sinjali.
Lidhur me këtë, grupi qytetar “Asnjë cent më shumë” ka reaguar ashpër, duke e cilësuar këtë rritje si një goditje të drejtpërdrejtë për qytetarët dhe bizneset.
“Inflacioni nuk është vetëm një term teknik, por një realitet që prek drejtpërdrejt familjet, bizneset dhe mirëqenien e përgjithshme në Kosovë,” thuhet në reagimin e grupit.
Ata kanë listuar disa pasoja të rënda që, sipas tyre, do të vijnë si rezultat i këtij vendimi:
- Rritje e çmimeve të produkteve ushqimore dhe shërbimeve bazike;
- Bizneset e vogla rrezikojnë falimentimin për shkak të kostove të shtuara;
- Qytetarët detyrohen të kufizojnë nevojat elementare për të paguar faturat e energjisë;
- Rënia e fuqisë blerëse, rritja e varfërisë dhe thellimi i pabarazisë sociale;
- Presioni për emigrim ekonomik, veçanërisht tek të rinjtë.
Vendimi i ZRRE-së pritet të ngjallë reagime të shumta, ndërsa qytetarët dhe bizneset tashmë po përballen me çmime të larta të energjisë elektrike.
