4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

spot_img

Çfarë ofroi Kosova si dëshmi deri tash për lidhjen e Serbisë me sulmin terrorist në Kosovë

Kosova po e akuzon Serbinë se ka qenë e përfshirë në sulmin e së dielës në Banjskë, ku një polic u vra, një u plagos dhe dy u lënduan. Qysh në orën 7:20 të mëngjesit kur edhe e konfirmoi sulmin, kryeministri Kurti tha se ai është organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar, mirëpo për t’i mbështetur fjalët e Kurtit, Sveçla ka publikuar disa “dëshmi” për lidhjen zyrtare të Serbisë me grupin terrorist.

Më 24 shtator, rreshteri Afrim Bunjaku me kolegë kishin vërejtur dy kamionë të ndalur në rrugë afër manastirit të Banjskës. Dyshimet e para ishin se bëhej fjalë për kontrabandë por me t’u afruar ata u sulmuan nga persona të armatosur. Aty mbeti i vrarë rreshteri Bunjaku, një polic u plagos dhe një u lëndua.

Pas sulmit, terroristët serbë u “strehuan” në manastirin e Banjskës dhe prej aty vazhdimisht gjuanin me armë zjarri, ndërsa pasdite Njësia Speciale e Policisë së Kosovës e mori manastirin në kontroll, ku arrestoi disa sulmues mirëpo shumica ikën në male dhe dyshohet se kanë kaluar në Serbi.

Për sulmin e 24 shtatorit, autoritetet në Kosovë po e akuzojnë për përfshirje shtetin e Serbisë. Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka publikuar disa “prova” për lidhjen zyrtare të Serbisë me grupin terrorist që kreu sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë.

Të martën Sveçla shpërndau një video të realizuar nga droni i Policisë, ku në hapësirat e manastirit shihet nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq, i cili është në Listën e Zezë të SHBA’së dhe Britanisë së Madhe.

Sveçla tha se Radojiçiqi ka qenë udhëheqës i grupit terrorist që kreu sulmin ndaj Policisë.

Ai shkroi se harta e sulmit terrorist po qartësohet çdo ditë, duke shtuar se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq përmes Listës Serbe, ka ndërmarrë veprimin terrorist kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës duke tentuar të destabilizojnë Kosovën.

“Ky në pamjet më poshtë është Milan Radojçiq, nënkryetar i Listës Serbe, po ashtu pjesë edhe e Listës së Zezë të ShBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar. Kryekrimineli Radojçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku… Harta e sulmit terrorist po qartësohet çdo ditë: Aleksandër Vuçiq përmes Listës Serbe, dhe këta përmes nënkryetarit të tyre Radojçiq, kanë ndërmarrë veprimin terrorist kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës duke tentuar të destabilizojnë Republikën tonë. Pra, LS e sheh pjesëmarrjen e saj në Kosovë vetëm në mënyrë terroriste. Ata dështuan. Ndërkohë, ditët e zisë të shpallura sot nga Serbia dhe Lista Serbe janë tashmë vulosja e autorësisë së këtij organizimi”, ka shkruar Sveçla.

Ndërsa dje, ministri i Kurtit lëshoi edhe një informacion tjetër, të cilin e prezantoi si dëshmi. Ai publikoi fotografinë e një prej sulmuesve të vrarë, për të cilin tha se është Bojan Mijailoviq, trupëroja e shefit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, në vizitën e tij në Republikën e Kosovës në vitin 2013.

Ai tha se Serbia është “këmbë e krye” e përfshirë në këtë sulm.

“Ndërkaq, sot është konfirmuar që njëri nga të vrarët që ishte po ashtu pjesëmarrës i atij akti është edhe Bojan Mijailoviq, trupëroja e shefit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, në vizitën e tij në Republikën e Kosovës në vitin 2013. Shteti i Serbisë është këmbë e krye i përfshirë në këtë sulm terrorist me qëllim destablizimin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

“Dëshmia” tjetër për përfshirjen e Serbisë në sulmin e 24 shtatorit që e prezantoi Sveçla ka të bëjë me armatimin që u konfiskua në manastirin e Banjskës. Ai publikoi një dokument, për të cilin tha se është vërtetim që ushtria e Serbisë i ka dhënë grupit me rastin e dorëzimit të lansuesit të granatave, që më pas u zu nga Policia e Kosovës.

Sipas tij, kjo dhe deklarime tjera mbështesin me fakte se Serbia i mbështet këto grupe politikisht, financiarisht, logjistikisht.

“Ky dokument është vërtetim që ushtria e Serbisë i ka dhënë grupit me rastin e dorëzimit të lansuesit të granatave, që më pas u zu nga Policia e Kosovës në aksionin e 24 shtatorit. Atë që e kemi deklaruar në vazhdimësi tash po e mbështesim edhe me fakte e dokumente të pakontestueshme se shteti i Serbisë mbështet këto grupe terroriste politikisht, financiarisht, logjistikisht”, ka shkruar ministri i Brendshëm.

Një ditë pas sulmit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për sponsorizonim e dhunës terroriste në territorin e Kosovës.

Kurti publikoi disa fotografi të armëve që i përkisnin grupit terrorist të cilat i konfiskoi Policia e Kosovës, duke thënë se kjo nuk lë vend për dyshime që Serbia e ka mbështetur këtë grup.

”Këto armë dhe pajisje të nivelit ushtarak – të sekuestruara nga Policia e Kosovës. Operacioni antiterror i pas sulmit të djeshëm – nuk lini vend për dyshime: Autorët vepruan jo vetëm, por me mbështetjen e shtetit. Serbia duhet të mbahet plotësisht përgjegjëse për sponsorizonim e dhunës terroriste në territorin e Kosovës”, ka shkruar Kurti në Tëitter.

Ndërsa, gjatë seancës së sotme në Kuvend, kryeministri Kurti ka kërkuar që Serbia të sanksionohet e ndëshkohet ndërkombëtarisht pas sulmit terrorist. Sipas tij, nëse nuk merren të tilla veprime, Serbia mund ta përsërisë siç tha ai krimin.

“Për këtë akt të agresionit ndaj Kosovës, Serbia duhet që të sanksionet e ndëshkohet ndërkombëtarëisht. Nëse kalon pa u ndëshkuar atëherë ajo do të përsërisë krimin. Armatimi ushtarak dhe trajnimet luftarake që i kishin profesionistët serbë që sulmuan në Banjskë të Zveçanit të dielën janë që të gjitha nga Serbia dhe të freskëta në kohë”, tha ai.

Sot, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar rezolutën me anë të së cilës dënon sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës dhe kërkojnë hetim ndërkombëtar.

 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img