Sipas presidentit Thaçi, nëse gjatë vitit 2019 nuk arrihet ndonjë marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë, shtohen mundësitë për një destabilizim në rajon.
“Nuk kam kurrfarë dyshimi që nëse këtë vit nuk do të bëjmë marrëveshje ligjërisht detyruese në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të hymë në një zonë të rrezikshme të këtyre raporteve që mund ta destabilizojnë gjithë rajonin”, tha Thaçi.
Ai tha po ashtu se janë bërë 20 vjet nga përfundimi i luftës së fundit, por Kosova dhe Serbia ende nuk kanë arritur një marrëveshje të mirëfilltë që do të arrinte paqen.
Në 12 muajt e fundit, siç tha Thaçi, ka regres në raportet në mes Kosovës dhe Serbisë.
“Përvoja e viteve të fundit ka forcuar bindjen time që ka ardhur koha ta përfundojmë marrëveshjen historike mes Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh Thaçi.
“Të gjithë ne në skenën e larmishme politike kosovare e kemi një qëndrim unik se cili duhet të jetë emri dhe mbiemri i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Njohja eksplicite reciproke mes dy shteteve është çelësi që hapë dyert e kësaj marrëveshjeje dhe mbyllë armiqësinë shekullore. Pra, të arrijmë një marrëveshje të qëndrueshme dhe të tejkalohen armiqësi e përhershme”, tha Thaçi, përcjell rel.
Ai ka komentuar edhe letrën e presidentit të Shteteve të Bashkuar të Amerikës, Donald Trump, duke e cilësuar atë si konfirmim të drejtpërdrejtë historik për të ndihmuar dy shtetet në arritjen e një marrëveshjeje me njohje reciproke.
Në këtë konferencë, ka folur edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Ai tha se spektri politik duhet të bashkohet rreth asaj se çfarë dëshiron Kosova karshi Serbisë. Duke iu referuar ideve për korrigjim apo ndryshim të kufirit, Kurti tha se askush nuk ka të drejtë t’i falë Serbisë tokën e Kosovës.
“As dëshmorët ndër varre po u ngritën nuk kanë drejtë të falin tokë të Kosovës e lëre më të gjallët”, tha Kurti.
Kosova dhe Serbia, shtoi Kurti, në procesin e dialogut të zhvilluar deri më tani kanë arritur shumë marrëveshje, por, ato duhet të kthehen në Kuvendin e Kosovës për t’u shqyrtuar.
“Karshi Serbisë nuk është i rëndësishme vetëm konsensusi ynë, është e rëndësishme edhe fuqia e shtetit. Kur e ke shtetin për toke, konsensusi partiak e politik nuk është ndonjë vlerë e madhe. Pra, paralelisht me bashkimin tonë për kërkesat kundrejt Serbisë, ne duhet ta forcojmë edhe shtetin tonë”, tha Kurti.
Kurse, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, i cili është edhe kryetar i Komunës së Gjilanit, tha se nuk ka opsion dhe nuk ka alternativë tjetër veç dialogut për zgjidhjen e çështjeve të pa zgjidhura. Haziri tha se në fazën e fundit të dialogut, në radhë të parë duhet të ketë një legjitimitet politik dhe ky legjitimitet duhet të arrihet në Kuvendin e Kosovës
“Shantazhi politik ka mbetur mjeti i fundit i cili ka dy vjet e gjysmë që po përdoret dhe po zhvillohet politika jonë në Kosovë. E zhurma politike po prodhohet nga partitë në qeverisje, kryesisht. Prodhimi i kësaj zhurme me dallime esenciale, madje po pamundëson që të bëhet hapi i dytë, ndërtimi i një konsensusi më të gjerë me opozitën apo edhe me shoqërinë civile dhe publikun”, tha Haziri.
Gjatë kësaj konference, Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) ka prezantuar edhe një sondazh që i jep përgjigje disa prej dilemave kryesore që e karakterizojnë dialogun e fazës finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nga gjetjet e prezantuara mes tjerash u tha se 62 për qind e qytetarëve mbështesin vazhdimin e dialogut në formatin aktual.
Shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, në këmbim të njohjes dhe anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), e kanë mbështetur vetëm 30 për qind e qytetarëve të Kosovës.
Sipas këtij sondazhi, status-quon aktuale mes Kosovës dhe Serbisë, e mbështesin vetëm 16 për qind e qytetarëve të anketuar, derisa vetëm 10 për qind kanë treguar përkrahje për idenë e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, me kompetenca ekzekutive, në këmbim të njohjes de-fakto të pavarësisë së Kosovës nga Serbia.