Para se të vritej, ndaj kolonel Tahir Zemajt ishin bërë edhe disa tentim atentate të tjera. Njërin nga to e ka kujtuar veprimtari i LDK-së, Naser Rugova, i cili ka thënë se Zemajn e ka pasur mik të ngushtë.
Ndërsa si mjek me profesion i kishte rënë rasti që t`ia mjekonte plagët pas tentim atentatit të dytë.
Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Rugova, ka thënë se, janë shumë vrasje të intelektualëve, veprimtarëve dhe komandantëve të shquar të luftës për liri dhe pavarësi që nuk janë zbardhur, që heshtën dhe vazhdojnë të jenë gurë i rëndë peshe mbi drejtësinë kosovare.
”Kolonel Tahir Zemajn e kam pasur mik të ngushtë, ai ishte i vetëdijshëm se fara e keqe kishte bërë përpjekje dhe përpiqej të ja shuante jetën. Pas tentim atentatit të dytë ndaj kolonelit në Pejë, erdhi që ti pastroj plagët në poliklinikën që e menaxhoja unë, pasi u trajtua nga Dr. Bedri Braha, biseduam për një kohë dhe na tha: “Unë nuk i kam borxh askujt, kam bërë punën time si oficer profesionist, kam qenë, jam dhe do jem gjithmonë lojal ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës , e kam njohur dhe e kam ende Komandant Suprem Presidentin Rugova, andaj nuk ka forcë që më ndalë nga rrugëtimi im””, ka cituar Rugova fjalët e kolonelit.
Sipas Naser Rugovës, heshtja e kësaj vrasje dhe vrasjeve të tjera të burrave më të shquar të kombit tonë, është pikë e zezë e sistemit të drejtësisë në Kosovë dhe e shtetit të Kosovës!
“Shumë gjëra tanimë janë zbardhur, ka fakte dhe dëshmi të mjaftueshme, se pse drejtësia nuk vepron vërtetë është mister! Por e vërteta do të zbardhet, shpata e drejtësisë do i godas kriminelët, nuk ka pajtim dhe qetësi në shoqërinë kosovare pa u zbardhur të gjitha vrasjet dhe eliminimet e figurave të rëndësishme si gjatë ashtu edhe pas luftës. Besoj shumë se nuk është e largët ajo ditë!”, është shprehur ai.