3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Çfarë duhet të dini për Lojërat Mesdhetare që Kosova do t’i organizojë më 2030

Të themeluara në vitin 1951, Lojërat Mesdhetare janë një ngjarje multi-sportive që zhvillohet çdo katër vjet me përkrahjen e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Për herë të parë, Kosova do të jetë nikoqire e tyre në atë që do të jetë ngjarja më e madhe sportive e organizuar nga ajo deri më tani.

Më 8 shtator, Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), e votoi kandidaturën Prishtina 2030, me 55 vota pro, tetë kundër dhe tri vota të pavlefshme, gjatë një takimi në qytetin grek Heraklion.

Si arriti Kosova ta fitojë organizimin e kësaj ngjarjeje?

Kosova ishte kandidatja e vetme që garoi për ta siguruar organizimin e Lojërave Mesdhetare, pra nuk kishte kundërshtar… përveç se kishte një në fakt: Serbinë, e cila, megjithëse nuk paraqiti kandidaturë, u përpoq të ndikojë që votimi të mos mbahej fare duke parë që fqinji i saj nuk përballej me kundërshtarë në votim.

Sipas Komitetit Olimpik të Kosovës, delegati i Serbisë në takimin e djeshëm “kërkoi të hidhej në votim shtyrja e zgjedhjes së vendit mikpritës deri pas Lojërave Olimpike Paris 2024, propozim që sipas drejtuesve të ICMG-së është në kundërshtim me statutin e ICMG-së, pasi një propozim i tillë për ndryshim të rendit të ditës do të duhej të vinte muaj më pare”.

Kosova nuk ka bregdet, por iu lejua të kandidojë falë disa ndryshimeve në statut të ICGM-së, të cilat ua mundësuan edhe vendeve pa bregdet t’i organizojnë Lojërat Mesdhetare.

Shqipëria është zotuar se do ta ndihmojë Kosovën në organizimin e lojërave, duke ia ofruar bregdetin e vet për garat në sportin e lundrimit.

Cila është rëndësia e tyre dhe çka përfiton Kosova?

ICMG-ja i cilëson Lojërat Mesdhetare si ngjarjen më të rëndësishme që përfshin shumë lloje sportesh pas Lojërave Olimpike. Megjithatë, këto lojëra në nuk tërheqin shumë shikues në përgjithësi dhe nuk gëzojnë mbulim në mediat më prestigjioze botërore.

Por, për një vend që nuk ka qenë mikpritës i ndonjë organizimi të madh sportiv dhe atletët e të cilit janë përballur me vështirësi për të marrë pjesë në ngjarjet sportive ndërkombëtare, organizimi i Lojërave Mesdhetare shihet si një arritje e madhe për vendin, prapëseprapë.

Kosova nuk ka infrastrukturën e nevojshme për organizimin e tyre tani për tani, por është zotuar se do t’i investojë mbi 250 milionë euro nga buxheti i shtetit gjatë shtatë vjetëve të ardhshme për t’u bërë gati për organizimin e tyre, zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës.

Ky do të ishte investimi më i madh në sport nga një qeveri kosovare që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

Nëse e krahason me rajonin katalonas të Spanjës, Tarragona dhe me Omanin e Algjerisë, të cilat i organizuan edicionet këto lojëra më 2018 dhe 2022, përkatësisht, atëherë investimi i Kosovës në këto lojëra do të jetë shumëfishë më i madh.

Omani i investoi vetëm 32.4 milionë për rinovimin e një stadiumi Olimpik dhe pjesën tjetër të infrastrukturës sportive.

Tarragonës i kushtuan ato 70 milionë euro, 81 për qind e të cilave erdhën nga buxheti i shtetit. Tarragona ngeli e pakënaqur pas lojërave, pasi palestrat dhe stadiumet i mbetën pothuajse të zbrazëta edhe pse ofroi bileta falas. Pra, nuk pati kthim pozitiv në investim, sipas gazetës katalonase Sport.

Lojërat Mesdhetare nuk monitizuan të drejtat për transmetim në Tarragona dhe ato u transmetuan vetëm nga katër televizione publike: RTVE, TV3, TAC12 dhe Xarxa. Kjo ishte shenj e qartë e mungesës së interesimit publik.

Kush merr pjesë dhe në çfarë sportesh?

Në Lojërat Mesdhetare marrin pjesë 26 vende nga tri kontinente. Nga Afrika: Algjeria, Egjipti, Libia, Maroku dhe Tunizia. Nga Azia: Libani, Siria dhe Turqia. Nga Evropa: Shqipëria, Andorra, Bosnja dhe Hercegovniza, Kroacia, Qiproja, Franca, Greqia, Italia, Kosova, Malta, Monako, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Polonia, San Marino, Serbia, Sllovenia dhe Spanja.

Kosova u pranua në ICMG më 2015 dhe mori pjesë për herë të parë në Tarragona 2018, në Spanjë.

Programi sportiv përmban rreth 24 sporte, me pjesëmarrjen e mbi tre mijë sportistëve. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit njoftoi se ngjarja do të ketë shtrirje në gjithë territorin e shtetit me fokus në shtatë komunat kryesore si dhe në bregdetin shqiptar në Durrës.

Në dy pjesëmarrje në këto lojëra, Kosova arriti t’i fitojë 10, nëntë prej të cilave në sportin e xhudos, ndërsa një në boks.

Xhudoja ka qenë sporti më i suksesshëm i Kosovës në fushën ndërkombëtare si sport individual, pasi Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova fituan medalje të arta olimpike secila në kategoritë e tyre përkatëse, në Lojërat Olimpike Verore Rio 2016 dhe Tokio 2020, përkatësisht.

Ky sport është ndër më të respektuarit në vend dhe mund të tërheqë shikues vendas dhe të sjellë medalje për nikoqiren.

Por, sportet më të popullarizuara në Kosovë, si futbolli apo basketbolli, në Lojërat Mesdhetare nuk çojnë peshë. ICMG-ja nuk lejon që në lojën e futbollit të marrin pjesë ekipet kombëtare të pjesëmarrësve; ato duhet të përfaqësohen nga ekipet e të rinjve.

Loja e basketbollit, ndërkohë, zhvillohet në formatin tre kundër tre (3×3)./rel/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img