Ish kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi pas dy sulmeve neurologjike është duke vazhduar trajtimin në mjekimin intensiv qendror në QKUK.
Mjekët që e kanë trajtuar ish-kryeministrin Rexhepi kanë bërë të ditur se Rexhepi sulmin e parë neurologjik e ka përjetuar në Mitrovicë, ndërsa të dytin në qendrën e Neurologjisë në QKUK, njofton Klan Kosova.
Në një lidhje direkte në Info Magazine të Klan Kosovës është bërë e ditur se konziliumi i mjekëve lidhur me rastin e Rexhepit kanë deklaruar se ish-kryeministri kosovar nuk ka nevojë të transferohet diku jashtë vendit sepse trajtimin e duhur mjekësor mund ta marrë edhe në Kosovë.
Madje sipas tyre, gjendja e tij shëndetësore mund të komplikohet nëse ai transferohet.
Ata nuk kanë dashur të deklarohen për media dhe të komentojnë më shumë për gjendjen shëndetësore të ish-kryeministrit kosovar duke thënë se gjendja e tij mund të pësojë luhatje në çdo moment.