Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vizituar ish-presidentin Hashim Thaçi në Hagë në fillim të muajit maj. Rama ka folur për momentin më emocionues që ka pasur me Thaçin gjatë vizitës, të cilin e konsideron mik të afërt dhe dhuratën që i ka bërë.
Shefi i qeverisë shqiptare u shpreh se Thaçi ishte në super-formë fizike dhe psiqike shkruan Gazetën Express.
“Ishte në superformë fizike dhe le të themi emocionale, dukej jashtëzakonisht mirë, sikur ishte rinuar sepse faktikisht aty ka një jetë padiskutim përtej izolimit me orare me regjim, me ushtrime me lexime pa ato streset e punës. Nuk po them se është më mirë atje sesa që do të ishte në Prishtinë, sepse do të ishte e tepërt por nga pamja psiko-fizike mu duk në superformë. Folëm për shëndetin, dhe më ka treguar që për herë të parë qysh se ai bën analiza trupi i tij është me të gjitha ato parametrat optimalë, më ka treguar për strërvitjet që bën për leximet e shumta që bën”, tha Rama në një intervistë për emisionin Opinion.
Kryeministri Rama foli edhe për dhuratën që ia ka bërë Thaçit në qendrën e paraburgimit në Hagë.
“Ia dërgova një mori librash që kryesisht lidhen me historinë e shqiptarëve që nga Skënderbeu e deri te librat që kanë dalë për Zogun, libra për ballkanin e kështu me radhë”, u shpreh Rama.
Tutje, ai tha se momenti më emocional me Thaçin ishte pritja për ta takuar atë brenda dhomës së paraburgimit.
“Emocionalisht ishte prekës momenti i pritjes për të ardhur në takim sepse natyrisht unë shkova dhe Hashimi erdhi dhe ai është lloj njeriu që vie gjithmonë në orar dhe vonesa kishte të bënte me faktin se ai s’ishte i lirë por i penguar nga procedura të caktuara”, tha ai.
Rama foli edhe për takimin e parë që e ka pasur me ish-drejtuesin politik të UÇK-së.
“Në mos gabohem, e kam takuar për herë të parë pas çlirimit të Kosovës në periudhën e luftës nuk e kam pasë fatin ta takoj. Në sekondin e parë ka qenë një kimi e menjëhershme dhe lidhja jonë është shumë e afërt. Ai është një qenie e jashtëzakonshme, me një dhunti të jashtëzakonshme për politikën dhe me një vullnet të jashtëzakonshëm për të arritur qëllimin”, tha Rama.
Ish-kryetari i Tiranës tha se vizita në Hagë te Thaçi ishte hera e parë që hynte në një burg.
“Ishte hera e parë që hyra në një burg, aty ishte si një spital madje një spital kogja i mirë si cilësi, por ato dyert që hapen dhe mbyllen dhe ato muret rreth e rrotull s’ka asgjë për t’u impresionuar pozitivisht”, tha Rama.