Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të hënën ka marrë pjesë në tryezën shkencore kushtuar studiuesit të albanologjisë, profesorit dhe drejtuesit shumëvjeçar të Institutit Albanologjik të Prishtinës, Sadri Fetiu, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij. Në fjalimin e tij, Kurti ka përdorur një shprehje të padëgjuar deri më tani
“Prindi i prindit që nuk është gjyshi”, tha Kurti të hënën në fjalimin e tij derisa po fliste për profesorin Sadri Fetiu.
Derisa po e përshkruante qasjen e Fetiut me nxënësit, Kurti ka ndarë një kujtim me babanë e vet, i cili ia kishte mësuar poezinë “Vaje” të shkrimtarit Adon Zako Çajupi.
Kurti tha se në fillim kishte menduar se poezinë e kishte shkruar profesori Sadri Fetiu, i cili ia kishte mësuar babait të tij poezinë “Vaje”.
Ai thotë se shumë vite më vonë e kishte kuptuar që poezia titullohet “Vaje” e jo “Evgjenia” siç kishte menduar, e po ashtu e kishte kuptuar që autor i saj është Çajupi.
Derisa e shpjegon këtë ngjarje, Kurti thotë se sa i rëndësishëm është prindi, është edhe prindi i prindit, e që nuk është gjyshi.
Duket se për këtë gjetje, Kurti bazohet në shprehjen “mësuesi është prind i dytë”.
“Unë si fëmijë, para se ta hasi Evgjeninë te letërsia dhe mitologjia antike, Euripidi e Lukreci e më vonë edhe te Dante e te Gëte, e kam mësuar Evgjeninë e Andon Zako Çajupit te poezia “Vaje”. Mirëpo para se të shkoj në shkollë e mbaj në mend mirë që babai e recitonte këtë poezi, të cilën unë mendoja që quhet “Evgjenia”, e jo “Vaje”. Atëkohë jo vetëm që mendoja që quhet “Evgjenia” e jo “Vaje”, por mendoja që e ka shkruar Sadri Fetiu, sepse babai e recitonte poezinë edhe thoshte që ja ka mësuar Sadri Fetiu. E unë besoja që ai që ia ka mësuar edhe e ka shkruar. Është dashur shumë vjet më vonë në shkollë ta marr vesh se poezia nuk quhet “Evgjenia”, por quhet “Vaje” dhe se nuk e ka shkruar Sadri Fetiu, por e ka shkruar Anton Zako Çajupi. Sa është i rëndësishëm prindi, po aq i rëndësishëm është edhe prindi i prindit e që nuk është gjyshi. Para se të kem mësuese timen, kam pasur mësues të prindit tim, e që ka qenë Sadri Fetiu”, ka thënë Kurti.