9.8 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Çështja e Kryeprokurorit, presidentja në pritje të verdiktit të Kushtetuesës

Akoma nuk është zgjedhur një kandidat për Kryeprokuror të Shtetit.

Një ankesë e njërit prej kundërkandidatëve ka bërë që çështja e kryeprokurorit të jetë akoma e pazgjidhur.

Ankesa është më saktësisht ndaj Aktgjykimit të 23 dhjetorit të 2022 të Gjykatës Supreme, gjë që vonon procesin e dekretimit të Kryeprokurorit, ku i nominuari nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, Blerim Isufaj, po konsiderohet si kandidati potencial për të marrë këtë udhëheqësi.

Nga Presidenca thonë për Indeksonline se në Gjykatë Kushtetuese është parashtruar kërkesë individuale nga një nga kandidatët, dhe se presidentja Osmani e ka bërë mëse të qartë që veprimet lidhur me këtë process do t’i ndërmarrë në përputhje me mandatin e saj kushtetues.

“Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, nëpërmjet një letre, sot është njoftuar nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës se në këtë Gjykatë është parashtruar një kërkesë individuale nga njëri nga kundërkandidatët në procesin e zgjedhjes së kryeprokurorit. Në këtë kërkesë kontestohet Aktgjykimi i 23 dhjetorit 2022, i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, i cili ndërlidhet me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.

Presidentja Osmani ka sqaruar në vazhdimësi se të gjitha veprimet lidhur me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit, do t`i ndërmarrë në përputhje me mandatin e saj kushtetues, duke respektuar pavarësinë e procedurave gjyqësore, sikurse edhe të drejtën e kandidatëve për të shteruar procedurat kushtetuese dhe ligjore për realizmin e të drejtave të tyre” ka thënë për Indeksonline Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidentes.

Kupina shtoi se porsa të përfundojë trajtimi i çështjes së Kryeprokurorit në aspektin ligjor, Presidentja do t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme ashtu siç e përcakton përgjegjësia e saj kushtetuese.

“Sapo të përfundojë trajtimi i çështjes së Kryeprokurorit në gjitha instancat gjyqësore, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, Presidentja Osmani do t`i ndërmarrë veprimet e nevojshme në përputhje me detyrimet dhe përgjegjësitë e saj kushtetuese” shtoi Kupina.

 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img