Site icon PrishtinaPress

Çështja e detit me Greqinë, Begaj: Më ka ardhur një kërkesa nga Ministria e Jashtme

Presidenti Bajram Begaj ka pranuar se Ministria e Jashtme i ka dërguar një kërkesë së bashku me relacionin shpjegues për të dhënë autorizim në lidhje me çështjen e detit me Greqinë.

Begaj tha se kjo kërkesë është duke e shqyrtuar.

“Me Greqinë fqinje kemi një çështje dhe po është e vërtetë që unë kam një kërkesë nga ana e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme e cila është e shoqëruar me një realicion shpjegues.

Si President i Republikës në zbatim të detyrimeve kushtetuese këtë kërkesë e vlerësoj me seriozitetin maksimal dhe besoj se është një çështje që duhet të gjejë zgjidhje. Zgjidhja e saj është e bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010, në aktet dhe ligjet ndërkombëtare, marrëveshjet ndërkombëtare, në ligjet e brendshme por edhe në rregullat e fqinjësisë së mirë dhe të reciprocitetit. Greqia është një partner strategjik i yni por është edhe një partner i rëndësishëm ekonomik. Kemi komunitetin shqiptar në Greqi dhe komunitetin grek në Shqipëri, të cilat janë ura të forta lidhëse të kësaj miqësie dhe këtij bashkëpunimi. Me Kryeministrin Rama unë jam takuar disa herë. Çështjet që unë kam diskutuar kanë qenë publike, janë diskutuar tema të lidhura me sigurinë kombëtare, janë diskutuar çështje të lidhura me shërbimin e jashtëm, me ambasadorët. Komunikimi është institucional, është shumë i mirë. Besoj se është pozitivisht mënyra se si takohemi dhe diskutojmë për çështjet”, tha Presidenti Bajram Begaj.

 

Exit mobile version