Në Ballkonin e Hapur të Qeverisë së Kosovës, është mbajtur ceremoni përkujtimore, në nderim të jetës së veprimtarit dhe atdhetarit të shquar të çështjes kombëtare, Fazli Greiçevci.
Kryeministri Albin Kurti, e cilësoi Greiçevcin si një nga gurët më të mëdhenj mbi të cilët janë ngritur dhe qëndrojnë themelet e lirisë dhe të shtetësisë së Kosovës.
Ai këtë vlerësim e bëri në praninë e familjarëve të tashmë të ndjerit dhe shumë personaliteteve të tjera politike, raporton klan kosova.
“Nëse shtetin e Kosovës e përfytyrojmë mirëfilli si një godinë të madhe, në ngritjen e të cilës kanë marrë pjesë dhe kontribuar shumë njerëz dhe gjenerata të tëra, ai përfaqëson një nga shtyllat mbajtëse të kësaj godine. Emri i tij është: Fazli Greiçevci. Ai ishte mësues i përkushtuar, poet i frytshëm, intelektual i angazhuar, aktivist politik dhe patriot i paepur”, u shpreh Kurti.
Ai tha se në historinë moderne të Kosovës, Greiçevci ka zënë vend si një nga personalitetet në jetën e të cilit mund të lexohet një nga kapitujt më të hershëm të përpjekjes së shqiptarëve për t’u çliruar nga Serbia dhe shkëputur nga Jugosllavia pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Kryeministri kujtoi gjithë veprimtarinë politike të atdhetarit Fazli Greiçevci në Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve – LRBSH, e që si qëllim kishte bashkimin me Shqipërinë, deri te arrestimi i tij më 3 gusht 1964, nga i cili si pasojë e torturave ekstreme e çnjerëzore të ushtruar nga policia jugosllave, humbi jetën në burgun e Prishtinës, më 17 gusht 1964.
“Idetë politike të cilave u besoi Fazli Greiçevci dhe të cilat i zhvilloi dhe i përfaqësoi, e ruajtën relevancën e tyre deri në luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në vitet 1998 dhe më 1999, kur shoku i tij Adem Demaçi u bë përfaqësues politik i kësaj organizate të armatosur çlirimtare, pra i UÇK-së. Andaj sot, në 60-vjetorin e vrasjes së tij, Fazli Greiçevcin e kujtojmë si një nga emrat më të shquar mes dëshmorëve të rënë në rrugën e gjatë për çlirimin e Kosovës. Emri i Fazli Greiçevcit bën bashkë dy elementet thelbësore të kombit tonë: gjuhën dhe flamurin. Lavdi Fazli Greiçevcit dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë tonë”, tha Kurti.
Ceremonia është mbajtur pas homazheve, që kryeministri zhvilloi gjatë ditës së sotme te varri i veprimtarit Fazli Greiçevci.