Site icon PrishtinaPress

Çeku reagon ndaj bashkëpunimit Shqipëri-Serbi: S’na pyetën, do të ishim gati deri në vitin 2027

Federata Shqiptare e Futbollit gjatë javës së kaluar bëri të ditur se së bashku me Serbinë ka kërkuar organizimin e Kampionatit Evropian 2027 për grupmoshat deri në 21 vjeç, duke shkaktuar reagime të mëdha.

Në lidhje me këtë ka folur edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i cili ka thënë se nuk ka pasur komunikim të Shqipërisë dhe Kosovës për këtë aplikim.

Ndonëse, Çeku shton se Kosova e ka parë partner Shqipërinë kur fitoi të drejtën për organizimin e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030.

Tutje, i pari i MKRS-së njoftoi se nuk kanë pasur asnjë informatë për këtë aplikim të Shqipërisë, derisa ka hedhur poshtë pretendimet se Kosova është anashkaluar për shkak se nuk posedon infrastrukturën e nevojshme.

“Ne vetëm kuptuam lajmin kur u bë publike kandidatura formale dhe kishte një lloj konstatimi për mua pak të çuditshëm nga ana e Shqipërisë, një lloj konstatimi pa konsultim paraprak se ne nuk i plotësojmë kushtet. Nëse flasim për vitin 2027 ne deri atëherë do t’i kemi disa stadiume të kategorive të larta që janë të gatshme për lojë dhe këtë po e them dhe këtë po e them me dinamikën e lojërave që po zhvillohen tani, është analizë e bazuar e nuk është premtim elektoral”, u shpreh Çeku në një intervistë për KosovaPress.

“Dinamika e punëve në teren si po zhvillohen dhe afatet e përmbylljes na tregojnë që brenda dy viteve ne do t’i kemi disa stadiume të kategorive të larta që janë të gatshme dhe besoj që me këtë, ne do ta kishim plotësuar edhe kushtin e nevojshëm minimal për të qenë bashkë-organizatore e këtyre lojërave”, shtoi i pari i MKRS-së.

Tutje, Çeku theksoi se zhgënjimi ishte edhe më i madh ku u bë e ditur se Serbia nuk është e gatshme me infrastrukturën që kërkohet dhe se për këtë organizim dhe se atje sapo kanë nisur investimet në disa stadiume, andaj duke parë këtë situatë, sipas Çekut, Shqipëria është dashur të jetë më korreket në këtë rast ndaj Kosovës.

Ndryshe, kandidatura e Shqipërisë bashkë me Serbinë është në shqyrtim e sipër dhe se vendimi pritet të merret nga UEFA në javët e ardhshme.

Exit mobile version