Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka bërë të ditur se buxheti i ndërë nga qeveria për këtë dikaster është 57 milionë euro.
“Qeveria e Kosovës miratoi buxhetin për 2023, buxheti i MKRS do të jetë mbi 57 milionë euro, rritje substanciale krahasuar me 2022”, ka shkruar Çeku në rrjetin social Facebook.
Ai ka thënë se sot kanë përmbyllur një javë dinamike, ku edhe ka përmendur disa nga punët që kanë bërë
Nënshkruam marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e bibliotekave me shtetin e Bavarisë.
Shpallëm konkursin ndërkombëtar për dizajn të Teatrit të Operës dhe Baletit.
Shpallëm për konsultime publike Koncept dokumentin për rininë.
Dorëzuam licencën e parë për një federatë të sportit sipas udhëzimit të ri administrativ (Federatës së Pingpongut).
Përfunduam renovimin e amfiteatrit në Pallatin e Rinisë, ku do të jepen shfaqjet e Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Organizuam simpozium ndërkombëtar për të diskutuar mbi konceptin dhe modelin e Muzeut të Artit Bashkëkohor.
Shpallëm për konsultime publike projektligjin për kinematografinë .
Organizuam vizitën disa ditore të profesionistëve nga institucionet e kulturës dhe trashëgimisë nga Franca.
Përfunduan ndërhyrjet restauruese në shtëpinë tradicionale të familjes Bardhi në Qendrën Historike të Prizrenit.
Nënshkruam marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e arkivave me Izraelin.
Nënshkruam kontratën me operatorin ekonomik për restaurimin e ndërtesës së Qendrës Hebraike në Prizren.
Botuesit e Kosovës me mbështetjen e Ministrisë morën pjesë në Panairin e Librit të Frankfurt.
Bashkë përmbyllëm Manifestën, ngjarjen më të madhe ndërkombëtare të artit të organizuar ndonjëherë në Kosovë, e cila pati rreth 800 mijë vizita në 25 lokacione.
Shpallëm thirrjen publike për përfaqësimin e Kosovës në Bienalen e Arkitekturës në Venecia në vitin 2023.
Organizuam pritje dhe ndamë shpërblimin për boksieren Donjeta Sadiku pas medaljes së saj të bronztë europiane.
Pritëm në vizitë drejtorin për zhvillim të Federatës Ndërkombëtare të Tenisit me të cilin koordinuam planet për investime në infrastrukturën e tenisit.
Shpallëm përfituesit e thirrjes për mobilitet, rreth 100 artistë, sportistë, organizata e klube përfaqësojnë Kosovën anembanë botës.
Qeveria e Kosovës miratoi buxhetin për 2023, buxheti i MKRS do të jetë mbi 57 milionë Euro, rritje substanciale krahasuar me 2022./Prishtinapress/