Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku, ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës i ka dhënë dritën e gjelbër për shpalljen e konkursit ndërkombëtar projektin – masterplanin për Kompleksi Memorial ”Adem Jashari” në Prekaz.
Çeku, në një konferencë për media, tha se deri në shpalljen e këtij konkursi ndërkombëtar është bërë shumë punë për t’u siguruar për qëndrueshmërinë e kullave dhe objekteve përcjellëse, njofton prishtinapress.net.
“Në përmbyllje të shënimit të 25-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimetare të Kosovës, Qeveria e Kosovës sot dha dritën e gjelbër për shpalljen e konkursit ndërkombëtar projektin – masterplanin për Kompleksi Memorial ”Adem Jashari” në Prekaz”.
“Nga themelimi i komitetit ndërministror për këtë memorial kemi punuar pareshtur në disa drejtime, fillimisht kemi angazhuar profesionist nga Universiteti i Prishtinës për vlerësimin e gjendjes së qëndrueshmërisë së kullave dhe ndërtesave tjera brenda kompleksit, bazuar në raport kemi ndërmarrë ndërhyrje emergjente në disa struktura të kompleksit”, u shpreh Çeku.
Tutje, Çeku tha se projekti do të realizohet në disa faza për një periudhë disa vjeçare.
“Është themeluar edhe komisioni i ekspertëve, pas miratimit të punës nga komiteti ndërministror MKRS-ja ka përgatitur të gjitha dokumentet teknike për prokurimin ndërsa sot qeveria ka miratuar kushtet, kriteret për konkursin ndërkombëtar duke autorizuar MRKS-në për shpalljen e procedurës dhe do të realizohet në një fazë ku aplikojnë kandidatët me idetë ndërsa juria me ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë do të bëjë përzgjedhjen e tri propozimeve më të mira – vendi i parë e nënshkruan kontratën për hartimin e projektit, vendi i dytë shpërblehet me 80 mijë euro dhe vendi i tretë me 60 mijë euro”.
“Projekti do të realizohet në disa faza për një periudhë disavjeçare ndërsa faza e parë përfshinë hartimin e projektit dhe zbatimin e projektit të konservimit të Kullave të Jasharajve”, tha Çeku.